Berat, fluks pacientësh në urgjenca

19/07/2010 08:10

Vetëm dy ditëve të fundit, mbi 50 prindër kanë kërkuar ndihmë mjekësore për fëmijët e mitur pranë repartit të pediatrisë në spitalin e qytetit të Beratit, ndërkohë që flukse për vizita mësohet se ka pasur pranë qendrave shëndetësore, te mjeku i familjes.

Burime pranë repartit të pediatrisë në spitalin e këtij qyteti bëjnë me dije se, me rritjen e menjëhershme të temperaturave, janë rikthyer virozat e stinës, ku më të prekurit nga shqetësimet gastro intestinale mësohet se janë fëmijët e moshave nga zero deri në pesë vjeç.

Pacientët e vegjël, sipas bluzave të bardha, mësohet se paraqiten me temperaturë të lartë, të vjella, dhembje barku dhe humbje të rezistencës. Rastet më të lehta të prekjes nga viroza e stinës, por edhe nga temperaturat tepër të larta, janë si pasojë e konsumimit të ushqimeve të pakontrolluara dhe qëndrimi për një kohë të gjatë në diell.

Sipas mjekëve, rastet me shqetësime të lehta u jepet ndihma e parë shëndetësore, ndërsa për rastet më të komplikuara, mjekët ofrojnë dhe medikamentet e nevojshme. Fluks të paraqitjes së të prekurve nga epidemitë mësohet se ka pasur gjatë dy ditëve të fundit dhe pranë mjekut të familjes. Mjekët këshillojnë prindërit që të kujdesen për shëndetin e fëmijëve dhe nëse shqetësimet janë serioze, të mos qëndrojnë në shtëpi, por të nisen menjëherë në urgjencë, për vëzhgimin e specialistit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA