Aksidenti, presidenti ngushëllon familjet

19/07/2010 10:05

Presidenti i Republikës Bamir Topi ishte për vizitë te familjarët e viktimave të aksidentit tragjik rrugor, duke u shprehur atyre personalisht ngushëllimet e tij.

Fillimisht, presidenti u ndal në fshatin Gojan, ku u takua me familjarët e Zef Mark Gjergjit, shoferit të autobusit. “Ngushëllimet më të sinqerta”, është shprehur Topi.

Në vijim, presidenti Topi u ndal në familjen Gjonmarku, ku i njohu anëtarët e saj me gjendjen e familjarëve që ndodhen në spital. “Gjëndja nuk është e keqe, është në përmirësim”, ka deklaruar Topi.

Më pas Presidenti vizitoi familjen Gjoni, që ka humbur djalin 27 vjecar. “Zoti ju dhëntë forcë dhe kurajë”, i ka thënë Topi familjes.

Familja Mustafa është më e goditura, ajo ka humbur tre familjarë dhe 3 të tjerë janë të lënduar në spital.

“Unë i kam parë të gjithë, dy cunat, dy prej fëmijëve ishin në gjëndje të mirë. 3 vjecari dhe 7 vjecari. Gocat i kam parë në reanimacion, shpresojmë që të bëhen mirë. Është një fatkeqësi shumë e madhe për familjet”, është shprehur kreu i shtetit.

Nga aksidenti i së shtunës i një autobusi të linjës Fusharrëz-Durrës që ra në lumin Fan, humbën jetën 14 persona dhe 12 te tjere perfunduan ne spital.

 

Top Channel