Vapa godet Europën

18/07/2010 18:10

Temperaturat e larta vazhdojnë të godasin shumë vende të Europës duke shkaktuar një mundim të madh tek njerëzit por edhe dëme të mëdha ekonomike.

I nxehti ka sjellë në disa vende dëmtim të të korrave, zjarre në pyje dhe temperatura aq të larta nëpër qytete sa njerëzit nuk ngurojnë të freskohen nëpër shatërvanë apo të dalin në rrugë me rroba banjoje, siç edhe ka ndodhur në Moskë.

Nga Uralet e Rusisë deri në perëndim të Gjermanisë temperaturat kanë qënë këtë javë më të larta se normalja e sezonit dhe sinoptikanet shprehen se në ditët në vazhdim situata mund të përkeqësohet edhe më tej.

Çekët gjithashtu po provojnë se çdo të thotë i nxehtë përvëlues. Autoritetet u detyruan të mbyllin një autostradë qëndrore që lidh Pragën me Gjermaninë për shkak se ka filluar t’i shkrijë asfalti.

Rusia përballet me thatësirën më të madhe prej më shumë se një shekull. Miliona hektarë tokë të mbjella janë shkatërruar ndërsa kultivuesit e peshkut në brigjet e Vollgës janë detyruar të hedhin 12 ton peshk. Në 18 rajone të këtij vendi është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

I nxehti i madh ka sjellë probleme edhe në Gjermani ku disa trena të shpejtësisë së lartë kanë patur avari me kondicionerët e tyre duke lënë dhjetra pasagjerë për disa kohë në temperatura deri në 45 gradë celcius.

Shërbimi meteorologjik britanik njoftoi se këto temperatura të pazakonta në Europë janë pasojë e një vale të nxehtë afrikane që po përshkron kontinentin e vjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA