Tragjedia e Fushë-Arrëzit, 2 fëmijë në gjendje kritike

18/07/2010 20:35

2 nga 11 pacientë e transportuar në Spitalin Ushtarak janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Një djalë dhe një vajzë të moshës 8 dhe 9 vjeç janë në reanimacion dhe në gjendje kritike për jetën. (UPDATE)

Vajza ka rënë në koma cerebrale, ndërsa djali ka demtime të rënda në mushkëri aq sa parametrat e tij shëndetësore nuk lejojnë as transportimin e tij drejt sanatoriumit të Tiranës.

“Aktualisht në reanimacion janë 5 pacientë. Bëhet falë për 3 fëmijë prej të cilëve 2 janë në gjendje mjaft të rëndë, një vajzë 9 vjeçe që është në komë cerebrale dhe një fëmijë tjetër që është me dëmtime të mushkërisë dhe në pamundësi për ta transportuar drejt sanatoriumit sollëm një respirator. Aktualisht fëmija është i stabilizuar në reanimacion me të gjitha kushtet, megjithëse është në gjendje tëpër të rëndë. Në reanomacion gjithashtu ndodhen edhe 2 gra në gjendje të stabilizuar”, dekalaroi shefi i reanimacionit, Tefik Zhurda.

Ndërsa në pavionin e Spitalit Ushtarak i nënshtrohen terapisë së mjekëve edhe 6 pacientë të tjerë në gjendje shëndetësore më të përmirësuar.

Në mes tyre janë dhe dy fëmijë nga familja Mustafa, ku nga shtatë anëtarë i mbijetuan tragjëdisë vetëm 4, pasi kanë humbur dy prindërit dhe një moter. I mbijetuar është dhe fatorino i autobusit, Pjerin Kola, i cili tregon se që prej tre muajsh punonte në këtë autobus të linjes Fushë Arrëz –Durrës.

“Vinim nga Durrësi për në Fushë-Arrëz, linjë që e bënim çdo ditë, vajtje-ardhje. Shumë pak mbaj mend. Shoferi ka qënë duke ecur ngadalë. Mbaj mend vetëm kur ka dalë goma e parë nga rruga dhe më pas ka nisur përmbysja. Jam përplasur në tavan e rrotull pastaj më ka humbur kujtesa. Jam përmendur në spitalin e Pukës pastaj më sollën këtu me helikopter”, deklaron mes dhimbjes Pjerin Kola, fatorinoja i autobusit të aksidentit tragjik.

Ndonëse janë në gjendje më të mirë shëndetësore, të gjashtë pacientët që tashmë marrin mjekime në pavion janë të traumatizuar.

Rreth orës 16 e 30 të së shtunës autobusi me pasagjerë që udhëtonte nga Durrësi drejt Fushë-Arrëzit doli nga rruga e ra në humnerë, duke u marrë jetën 14 personave.

Autobuzi që mbeti në luginën e lumit Fan pas përmbysjes iu nënshtrua ekspertimit auto-teknik, ku rezultoi se sistemi i drejtimit ka funksionuar normalisht. Autobusi lëvizte brenda rregullave në kahun e duhur dhe nuk ka pasur makinë tjetër përballë. Sipas autopsisë së trupit të shoferit gjendja e tij shëndetësore ka qënë e mirë. Ndaj ekspertët e policisë kanë dalë në konkluzionin se aksidenti  ka ndodhur si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit.

Për të kujtuar viktimat e kësaj tragjedie të rëndë, në të gjithë institucionet shtetërore flamuri u ul në gjysmështizeë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA