Në kohën kur biznesi dhe qeveria po negociojnë zbatimin e amnistisë fiskale, që përfshin legalizim asetesh dhe falje gjobash, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur aksionin më të madh ndaj subjekteve që nuk kanë paguar detyrimet.
Hapi i parë është publikimi i emrave të atyre bizneseve që kanë borxhe ndaj tatimeve në shuma të ndryshme, si formë presioni për t’i detyruar që të vetëdorëzojnë listën me pagesat.
Emrat janë publikuar në faqen zyrtare të tatimeve dhe bëhet fjalë për 1013 subjekte, kryesisht nga Tirana dhe Fieri, ku nuk mungojnë VIP-at dhe shoqëri të njohura në botën e biznesit. Në fillim të listës, Tatimet u bëjnë me dije këtyre bizneseve se emri nga lista i borxhlinjve do të hiqet vetëm nëse shlyhen detyrimet, ndërsa më poshtë rendit masat që do të merren për vjeljen e detyrimeve, qoftë edhe me përdorimin e forcës.
Publikimi i emrave në faqen zyrtare të Tatimeve është detyrim që lindi nga ligji “Për procedurat tatimore”, i cili kur u miratua dy vjet më parë hasi në shumë kundërshti nga biznesi, për shkak edhe të asaj pjese ku përcaktohet zbardhja e emrave.
“Njoftimi bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet që kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet”, deklaron Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave.
Përbri emrit të subjektit, tatimet kanë vendosur administratorin, niptin dhe datën kur ka lindur detyrimi, kurse shuma e borxhit nuk është publikuar, me faktin se ajo rritet çdo ditë, për shkak të kamatëvonesave etj. Debati i fundit mbi amnistinë fiskale i ka bërë bizneset të mendojnë se do të përfitojnë nga falja e gjobave, duke shtyrë pagesën e detyrimit me shpresën e faljes.
Nëse tatimpaguesi nuk paguan në datën e caktuar detyrimin tatimor, në përputhje me nenin 89 të ligjit “Për procedurat tatimore”, detyrimi tatimor i papaguar sigurohet në favor të administratës tatimore mbi të gjithë pasurinë e tatimpaguesit, në masën e nevojshme, për të përmbushur detyrimin tatimor të tij.
Nëse detyrimi nuk është paguar, administrata tatimore nxjerr njoftimin, me anë të të cilit tatimpaguesi dhe çdo person tjetër marrin dijeni, se ndaj pasurive të biznesit Tatimet kanë nxjerrë urdhrin për bllokimin e tyre dhe se kanë filluar procedurat për ekzekutimin e detyrimeve tatimore të papaguara.
Njoftimi sipas parashikimit më sipër bëhet për faktin që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe se organet apo institucionet që kanë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të biznesit debitor të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këto pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesit debitor, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar është arkëtuar. Si pasuri e biznesit konsiderohen të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të tij, që ka në pronësi, apo që ndodhen në përdorim, apo me të drejta të tjera te persona të tretë.
Administrata tatimore u kërkon informacion zyrave të regjistrimit të pasurive, të mjeteve motorike, mjeteve lundruese, të regjistrimit të aksioneve, të regjistrimit të titujve shtetërorë, metaleve dhe gurëve të çmuar, nëse në emër të biznesit apo personave të tjerë, ndaj të cilëve ka nxjerrë vendimin për marrjen e masave të sigurisë, figurojnë të regjistruara në pronësi të tyre sende që ato janë të detyruara t’i regjistrojnë. Institucionet e mësipërme janë të detyruara brenda 5 ditëve punë nga data e marrjes së njoftimit, të informojnë administratën tatimore nëse tatimpaguesi apo personat ndaj të cilëve ka dalë vendimi kanë pasuri në emër të tyre apo jo.
Përbri emrit të subjektit, tatimet kanë vendosur administratorin, niptin dhe datën kur ka lindur detyrimi, kurse detyrimi nuk është publikuar.
Top Channel