Babai denoncon shoqatën humanitare: Dhunuan djalin

18/07/2010 09:00

Një qytetar nga Shkodra ka denoncuar në polici punonjësit e një shoqate humanitare se kanë ushtruar dhunë ndaj të birit.

Shenjat e dhunës mbi adoleshentin janë vërtetuar nga ekspertiza e mjekut ligjor, ndërkohë që pritet të jetë prokuroria ajo që do të zbardhë ngjarjen dhe të vendosë përpara përgjegjësisë dhunuesit.
Babai i El. Li., 15 vjeç, ka akuzuar se mbi të birin është ushtruar dhunë nga punonjësit e shoqatës që merren me trajtimin e fëmijëve me probleme mendore.

Sipas tij, 15-vjeçari ka probleme mendore dhe nuk është në gjendje të tregojë ngjarjen, por në trupin e tij janë gjetur shenja dhune dhe djegieje. Fatbardh Lici tregon se i biri kishte shkuar për disa ditë pushime në një kamp të ngritur në plazhin e Velipojës nga shoqata “Shpresa”. Por, sipas tij, kur djali është kthyer në shtëpi, ka pasur shenja dhune në të gjithë trupin.

Babai i fëmijës, Fatbardh Lici, i cili ka bërë denoncimin në polici, shprehet se fëmija ka qenë në gjendje më të rëndë dhe pas marrjes së mjekimit, është përmirësuar, por ende shihen qartë enjtja në dy këmbët nga goditjet dhe shenjat e djegies. Ai rrëfen për “Shqip” se 15-vjeçari është ekzaminuar nga mjeku ligjor, i cili ka konstatuar shenjat e dhunës.

“Kur e kam marrë fëmijën, ai ka qenë në gjendje të rëndë dhe e çova direkt te mjekia e lagjes. Kjo e fundit më rekomandoi ta dërgoja në spital, sepse ai kishte dëmtime serioze. Kur pyeta punonjësit e shoqatës për atë çfarë i ka ndodhur fëmijës, m’u përgjigjën se ia kisha shkaktuar unë shenjat e dhunës. Pas kësaj përgjigje i jam drejtuar policisë, ku kam bërë denoncimin. Është thirrur mjeku ligjor, që pas ekzaminimit e ka nxjerrë të dëmtuar me mjete të forta”, ka thënë për “Shqip”, Fatbardh Lici.

Më tej ai ka treguar se në raportin mjekoligjor është saktësuar se mbi 15-vjeçarin janë konstatuar shenja djegieje, si edhe disa plagë që janë shkaktuar nga mjet një i fortë. “Kërkoj nga organet shtetërore që të bëhet një kontroll nëpër shoqata, të cilat funksionojnë si humanitare dhe të shihen kriteret e dhënies së titullit “Qytetar Nderi”. Presidentja e shoqatës “Shpresa” është shtetase italiane dhe pak kohë më parë është nderuar me titullin “Qytetar Nderi””, ka thënë Lici.

Burime nga policia bëjnë të ditur se pasi është vërtetuar ligjërisht se fëmija është dhunuar, i mbetet prokurorisë për ta hetuar më tej ngjarjen dhe zbulojë se kush ka ushtruar dhunë. Ndërkohë e kontaktuar me telefon nga “Shqip”, zëdhënësja e shoqatës është shprehur se: “Presidentja e shoqatës, Silvana Vignoli, nuk ka dëshirë të ketë asnjë kontakt me mediat në lidhje me këtë ngjarje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA