Spahija: 14 të vdekur dhe 12 të plagosur

17/07/2010 21:20

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardh Spahija ka saktësuar se aktualisht në Spitalin Ushtarak të Tiranës ndodhen 12 persona të plagosur nga aksidenti në aksin Rrëshen-Fushë Arrëz.

Në një prononcim për mediat, Spahija ka konfirmuar gjithashtu vdekjen e 14 personave, tre prej të cilëve gjatë rrugës për në spital.

“Bëhet fjalë për 10 të plagosur që ndodhen në Spitalin Ushtarak, ndërsa dy janë në gjëndje më të lehtë në spitalin e Shkodrës. Në Spitalin Ushtarak kemi pasur 3 të vdekur, dy gjatë rrugës dhe 1 këtu. Nga komunikimet me spitalin e Pukës rezulton se kemi edhe 11 të vdekur atje”, ka bërë të ditur Spahija.

Numri dy i Ministrisë së Shëndetësisë ka konfirmuar se një nga 3 të vdekurit në Spitalin Ushtarak ka qenë një vajzë adoleshente.

Ai ka shtuar më tej se stafi mjekësor po jep maksimumin e tij dhe ka shprehur shpresën që bilanci i viktimave të mos rëndohet.

“Situata po përballohet me sukses për pjesën që i takon shëndetësisë. Po bëhet maksimumi nga stafi mjekësor. Të plagosurit po marrin trajtim të specializuar. Uroj të mbyllet me kaq numri i viktimave”, ka shtuar Spahija.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA