Mjedisi vendos kusht

17/07/2010 08:30

Mbetjet urbane vazhdojnë të jenë problem shqetësues në ndotjen e mjedisit. Kjo ka qenë deklarata e fundit e ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu. Sipas tij, zgjidhja më e mirë në të tilla raste do të ishte një bashkëpunim i të gjithë aktorëve të interesit, kryesisht të pushtetit vendor, i cili është përgjegjësi kryesor për riciklimin e mbetjeve.

“Angazhimi i pushtetit vendor është përgjegjësi numër një për administrimin e mbetjeve në territorin e tyre. Pushteti vendor duhet të marrë të gjitha masat e duhura për trajtimin e mbetjeve dhe mbrojtjen e mjedisit nga ndotja. Kjo arrihet duke përfshirë në kushtet e kontratave kompanitë e trajtimit të mbetjeve, duke vendosur minimalisht dy kosha, për ndarjen në origjinë të këtyre mbetjeve”, theksoi ministri.

Mediu sqaroi se hartimi i strategjive nëpërmjet nismave të reja ligjore është një hap i rëndësishëm, me qëllim realizimin e kushteve për t’u integruar në Bashkimin Europian. “Krahas ligjit janë hartuar edhe disa projektvendime, siç është ai i listës së gjelbër, e kërkuar me insistim nga Shoqata e Ricikluesve. Këto projekte janë dërguar tashmë në ministri, me synim miratimin përfundimtar të qeverisë, i cili është ende në diskutim”, tha Mediu.

Sipas tij, vendimi i Këshillit të Ministrave përmban një listë të plotë të mbetjeve metalike, plastike, tekstile, të letrës dhe organike që lejohen të importohen dhe eksportohen në Shqipëri. Por nga ana tjetër, riciklimi dhe bizneset e riciklimit duhet të mbështeten edhe me politika favorizuese fiskale. Strategjia Kombëtare e Menaxhimit të Mbetjeve pretendon se sasia e ricikluar apo e kompostuar e mbetjeve të grumbulluara nga autoritetet lokale të rritet në masën 25 për qind deri në vitin 2015, ndërsa për vitin 2020 kjo rritje është parashikuar të arrijë deri në 55 qind. Sh.Me

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA