
16 vjecari Armando Skanaj ka mbetur i vrarë nga policia pas shkëmbimit të zjarrit me policinë e Lezhës, e cila tentoi kontrollin e automjetit me të cilin viktima udhëtonte së bashku me dy shokët e tij të shpallur në kërkim.
Operacioni i policisë ka lidhje me informacionet se në makinën tip “Benz” ku ndodhej viktima ndodheshin dy autorët e grabitjes së shtetasve malazezë pak ditë më parë.
Burime te besueshme për Top Channel thanë se ndjekja e mjetit me targë “TR 7870 R” ka ndodhur pasi ky automjet i ka shpëtuar urdhërit të policisë për t’i ndaluar një postoblloku në autosradë.
Në kohën që “Benz”-i është nisur drejt Shkodrës, një postobllok tjetër në vendin e quajtur Ura e Cunit ka urdhëruar ndalimin e tij.
Por tre të rinjtë kanë shmangur postobllokun duke përplasur me makinën e tyre një punonjës të policisë rrugore, i është jashtë rrezikut për jetën.
Pas kësaj, ata kanë goditur me makinën e tyre edhe automjete të tjera të policisë, të cilat kanë tentuar të bllokojnë rrugën.
Në këtë vend policia raporton jozyrtarisht se ka ndodhur njëkohësisht edhe shkëmbimi i zjarrit. Ndjekja e “Benz”-it ka vijuar deri në fshatin Balldren.
Mësohet se policia ka gjetur në automjetin e braktisur trupin e pajetë të adoleshentit Armando Skanaj, i cili sipas policisë së Lezhës është vëllai i njërit prej të dyshuarve që grabitën shtetasit malazë pak ditë më parë.
Raportohet se bashkëpunëtorët e viktimës janë larguar nga vendngjarja ndërsa policia është vënë në kërkim të tyre në të gjithë zonën ku dhe ka ngritur postoblloqe të shumta në terren.
Top Channel