Berisha viziton të plagosurit

17/07/2010 20:10

Kryeministri i vendit Sali Berisha ka vizituar para pak castesh Spitalin Ushtarak, ku është takuar me mjekët dhe të plagosurit nga aksidenti në aksin Rrëshen-Fushë Arrëz.

Në një prononcim për mediat, Berisha ka bërë të ditur se personat që kanë humbur jetën nga kjo tragjedi janë 12, ndërkohë që shumë mes të plagosurve sipas tij janë në gjendje të rëndë.

“Janë 12 jetë të këputura, fëmijë, burra e gra që udhëtonin me autobuzin e linjës. Janë rrth 16 të tjerë të plagosur me trauma të shkallëve të ndryshme, por mes tyre ka disa që po luftojnë në shtratin e reanimacionit me vdekjen”, ka deklaruar Berisha.

Kreu i qeverisë ka theksuar se janë marrë të gjitha masat për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve, si dhe u ka shprehur familjeve të viktimave ngushëllimet në emër të qeverisë së tij.

“Janë marrë të gjitha masat që t’u jepet ndihma më e mirë e mundshme të plagosurve. Me këtë rast dua t’u shpreh familjeve të viktimave ngushëllimet më të sinqerta të qeverisë. I siguroj se mbarëshqiptarët ndajnë sonte zinë e rëndë. Le të lutemi së bashku për shëndetin e të plagosurve”, ka shtuar Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA