Gjykata e Lartë, Parlamenti rrëzon Vexhi Muçmatajn

15/07/2010 19:30

Deputetët demokratë ndoqën mendimin e Komisionit të Ligjeve dhe votuan kundër kandidaturës së Vexhi Muçmatajt si gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Mazhoranca i qorton Mucmatajt një karrierë 14 vjecare si hetues gjatë kohës së diktaturës. Në përfundim të votimit, kandidatura u rrëzua nga 65 votat e deputetëve demokratë, nga të cilët abstenoi vetëm Paulin Sterkaj. Abstenuan po ashtu edhe Dashamir Tahiri i PDU-së dhe Fatmir Mediu i Partisë Republikane.

Kurse pro, votuan Shpëtim Idrizi i PDU-së dhe Dritan Prifti, Lefter Koka dhe Nasip Naco të LSI-së. Mes diskutimesh të gjalla kaluan edhe ndryshimet në ligjin për Policinë Gjyqësore. Pavarësisht debatit, ndryshimet u miratuan me 72 votat e mazhorancës. Po me 72 vota pro kaloi edhe vendimi për ngritjen e komisionit hetimor që do të hetojë masakrën e Tivarit. Bëhet fjalë për vrasjen e 1700 deri në 4300 shqiptarëve të rekrutuar në Kosovë për të luftuar kundër gjermanëve në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Nga Prizreni ata marshuan nëpër Shqipëri, për t’u ekzekutuar pabesisht në Tivar të Malit të Zi. Në këtë histori mazhoranca dyshon si të implikuar edhe figura të shtetit shqiptar të asaj kohe, e posacërisht Ramiz Alinë. Përpara se të votohej ngritja e komisionit, kryetari i grupit socialist Gramoz Ruci ftoi deputetët të mbajnë një minutë heshtje për nder të viktimave. Apel të cilit iu përgjigjën vetëm deputetët e majtë.

Më pas Ruci shpjegoi se grupi socialist ishte kundër ngritjes së komisionit hetimor per tre arsye ; koha e papershtatshme e ngritjes se tij, objekti i hetimit shtrihej jashtë kufirit të Shqipërisë dhe së treti, duke kërkuar fajtorë brenda regjimit komunist në Shqipëri, zbehte fajin e autorëve serbë të masakrës. Nga ana e tyre, deputetët demokratë mbajtën 1 minutë heshtje për viktimat pasi votuan pro ngritjes së komisionit hetimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA