Rama në ishullin e Papandreut

12/07/2010 19:55

Kryetari i opozitës Edi Rama po zhvillon një vizitë në Greqi, me ftesë të fondacionit “Andreas Papandreu”, që mban emrin e themeluesit të PASOK.

Edi Rama shoqërohet në këtë vizitë nga kryetari i PPDNJ-së, Vangjel Dule dhe deputetët Taulant Balla e Fatmir Xhafaj.

Kreu socialist tha se është njohur me ndryshimet e bëra nga lideri i saj Jorgos Papandreu për integrimin e emigrantëve shqiptarë, si dhe me vendimin që u mundëson atyre të votojnë në zgjedhjet lokale.

Edi Rama u bëri thirrje emigrantëve që të marrin pjesë në atë që ai e quajti kulmin e pjesëmarrjes në procedurat e demokracisë.

“Nga një anë u njohëm me mënyrën e organizimit të punës dhe biseduam për një platformë bashkëpunimi për rritjen e cilësisë së organizimit të komunikimit të partisë me publikun. Nga ana tjetër u njohëm me masat e kryeministrit mik Jorgos Papandreu për të përfshirë emigrantët shqiptarë në votimin për zgjedhjet vendore”, ka deklaruar Rama.

Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i PASOK, Sokratis Ksinidis shprehu kënaqësinë për praninë e delegacionit shqiptar.

“Është një kënaqësi që kemi mes nesh miqtë e Partisë Socialiste, kryetarin e saj Edi Rama dhe zotin Dule. Sic e dini, partitë tona kanë marrëveshje të shkëlqyera. Që sot filluam me bashkëpunim më të ngushte dhe shpresojmë që frytet e tij të jenë të mira. Patëm kënaqësinë të këmbejmë mendime për një sërë cështjesh me interes të përbashkët, si organizimi dhe bashkëpunimi midis partive tona. Përvec kësaj, PASOK dhe PS janë edhe anëtare të internacionales socialste, e cila nën drejtimin e Jorgos Papandreut po punon që të rrisë edhe më shumë shkallën e bashkëpunimit të së majtës ndërkombëtare”, është shprehur Ksinidis.

Gjatë qëndrimit të tij, Rama ka patur një takim kokë më kokë me kryeministin grek, Jorgos Papandreu, ku është biseduar për shumë cështje me interes të përbashkët. Zyra e shtypit e PASOK, sqaroi se takimi ishte privat.

Por takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në ishullin Poros, ku zoti Papandreu ka organizuar një forum me politikanë të njohur, e ku vec kreut socialist janë edhe shefja e diplomacisë britanike, baronesha Catherine Ashton, lideri i socialistëve europianë, Luis Ayala, ajo e së majtës franceze, Segolene Royal, etj.

Në këtë forum do të diskutohen në mënyrë të gjerë cështje që kanë të bëjnë me ekonominë dhe politikën, e ku një vend të vecantë do të zërë edhe situata në Shqipëri.

Top Channel