Pasaportat mund të tërhiqen edhe në konsullata

12/07/2010 09:10

Ministria e Brendshme ka njoftuar dje se pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, emigrantët shqiptarë do të kenë mundësi t’i marrin pranë konsullatave shqiptare në vende të huaja.

Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, ka bërë me dije se konsullatat në Athinë, Selanik dhe Romë do t’i pajisin emigrantët shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta të reja biometrike.

Ende nuk është përcaktuar çmimi që emigrantët duhet të paguajnë për një pasaportë, por ajo që bëhet e ditur nga zv/ministri Poni është se çmimi i një pasaporte mund të variojë rreth 100 euro.

Në këtë mënyrë, qeveria krijon lehtësira tek emigrantët, të cilët janë të detyruar në shumicën e rasteve që të kthehen në Shqipëri për t’u pajisur me dokumentet e reja të identifikimit.

Procedurat

Fluksi i madh dhe radhët e gjata në sportelet e gjendjeve civile për pajisjen me pasaporta ka bërë që të ndryshohen oraret e punës, por edhe të krijohen vonesa bezdisëse për emigrantët shqiptarë.

“Po shohim mundësinë konkrete të hapjes së pikave të aplikimit në disa nga konsullatat e shteteve fqinje, fillimisht në Itali dhe Greqi. Pas disa kohësh, rreth tre-katër muaj nga sot, qytetarët që banojnë në Athinë ose në Selanik, do të mund të aplikojnë për pasaportën edhe atje, dhe do ta marrin po atje”, thotë zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni.

Projekti i Ministrisë sonë të Brendshme pritet të zbatohet në muajin tetor, ndërkohë që në Shqipëri zyrat e bashkive dhe minibashkive vazhdojnë të jenë të mbushura me radhë të gjata.

Tashmë që është aplikuar sistemi elektronik, një shtetas shqiptar mund të aplikojë në cilëndo qendër, pavarësisht regjistrimit, për të marrë pasaportën biometrike.

Mjafton që të jetë i pajisur me kartën e identitetit. Kostoja që karta e identitetit apo pasaporta biometrike do të ketë në rast se merret në një vend të huaj, do të jetë dyfish më e lartë se kostoja që paguhet në Shqipëri.

Projekti

Sipas tij, Italia dhe Greqia, për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë, janë përzgjedhur si të parat për të zbatuar projektin e ri.

Zv/ministri Poni sqaron se kostoja e dokumenteve që do të lëshohen nga konsullatat tona janë pak më të larta, por gjithsesi brenda kostos së prodhimit.

Nëse një pasaportë biometrike në Shqipëri kushton 6 mijë lekë, jashtë kufijve të Shqipërisë ajo do të vlerësohet me 100 euro.

“Kostoja do të jetë pak më e shtrenjtë, sepse i përgjigjet edhe kostos atje. Janë shërbime më të shtrenjta, sepse mirëmbajtja duhet vënë kastile. Besoj do të jetë po kaq e arsyeshme është fakti se i kanë marrë sot dokumentet në Shqipëri shqiptarët, pra të pangarkuar nga taksat. I takon Parlamentit ta vendosë, por mund të jetë diku te 100-110 euro”, tha Poni.

Sezoni i verës dhe dimrit kanë edhe fluksin më të madh të kërkesave nga emigrantët për t’u pajisur me dokumentet biometrike të identifikimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA