Barnat spitalore, kërkohet përshpejtim i afateve tenderuese

12/07/2010 09:00

Procedurat për të blerë mallra apo “shërbime” brenda institucioneve, administratës, por edhe ndërmarrjeve mund të jenë të njëjta, por problematikat janë të ndryshme.

Kjo si në rastin e barnave spitalore. Tenderët për të kryer furnizimin me materiale spitalore, ilaçe, mjete teknike, pajisje apo “infrastrukturë”, nuk mund të kenë të njëjtat afate si edhe për institucionet e tjera.

Shpeshherë pacientët dhe të sëmurët që kanë nevojë për kujdes spitalore, kërkojnë barna apo ndodhen në situata emergjente për të cilën nuk mund të presin mbushjen e afateve deri në furnizimin me “mallin” e kërkuar.

Ajo që mjekët theksojnë dhe propozojnë është ndryshim i ligjit të prokurimeve për ilaçet dhe materialet mjekësore.

Ndryshimi sipas tyre të konsistojë në shkurtimin e afateve kohore.

Kjo, do të bënte të mundur realizimin e tenderëve në një kohë më të shkurtër në mënyrë që të gjitha barnat të jenë prezentë në pavijone në të njëjtën kohë.

Një shembull konkret është se, pas lidhjes së kontratës, ligji parashikon që firma fituese të sjellë furnizimin e ilaçeve për 15 ditë deri në 45 ditë.

“Por, duke qenë se shëndetësia është një sektor që ka emergjenca të herëpashershme është kërkuar që të ndryshohen afatet kohore për tenderimin dhe lidhjen e kontratave me grosistët. Ndryshimi i këtij ligji do të bënte të mundur plotësimin e nevojave në një kohë më të shpejtë”, sqaron zyrtarisht qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”.

Mbyllja e tenderëve

Drejtoria e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” njofton se gjatë 6-mujorit të parë janë realizuar një pjesë e mirë e investimeve dhe tenderëve në këtë institucion.

Ajo që vlen të theksohet është se vetëm për sa i përket paketës bazë dhe citostatikëve janë realizuar 90 për qind dhe përkatësisht janë shpenzuar 621 milionë lekë për paketën bazë të barnave dhe 507 milionë lekë për citostatikët.

“Puna e bërë deri më tani është një sukses i plotë nga ana jonë. Janë realizuar 90 për qind të tenderëve, ndërkohë që edhe pjesa e mbetur e tyre janë në rrugë e sipër”, ka pohuar drejtori i qendrës spitalore universitare, Ilir Dashi.

Sipas tij, ajo që vlen të theksohet është se për vitin 2010 buxheti si për barnat bazë ashtu edhe për citostatikët është rritur.

Përkatësisht për barnat ka një rritje prej 67.57 për qind më shumë se viti 2009, kurse për citostatikët një rritje prej 60 për qind.

Materialet mjekuese

Tenderët e materialeve të mjekimit përfundojnë në fund të këtij muaji tërësisht, ndërsa janë realizuar një pjesë e mirë e tyre.

“Për sa u përket sektorëve të tjerë mbështetës dhe shërbimeve kanë përfunduar të gjitha kontratat e mirëmbajtjes së aparaturave, ushqimi, lavanteria, energjia, uji. Po kështu, ka shënuar përfundimin dhe lidhja e kontratave për pastrimin e jashtëm të territorit të QSUT-së, ruajtja e objekteve”, ka sqaruar kreu i QSUT-së.

Sipas tij, treguesit statistikorë për këtë 6-mujor për sa u përket pacientëve, janë 1 mijë pacientë më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta