Zona e Shkozës, 1 muaj pa ujë

11/07/2010 10:05

Zona e Shkozës do të ketë probleme me furnizimin e ujit të pijshëm për të paktën 1 muaj. Ndërkohë që banorët e zonës janë njoftuar se do të kenë ujë të pijshëm sipas një grafiku me orare të përcaktuara të furnizimit gjatë 24 orëve.

Ndërmarrja e Ujësjellësit të Tiranës ka reaguar pas shqetësimit të banorëve të lagjes 1 në zonën e Shkozës, të cilët prej tri javësh përballen me mungesën e ujit të pijshëm.

Drejtori i Ujësjellësit, Sahit Dollapi, deklaron se do të vendosen orare, ashtu si edhe në zonat e tjera të Tiranës. Me përjashtim të Unazës së Re, nuk ka zona të tjera në kryeqytet që të kenë probleme në furnizimin me ujë të pijshëm.

Drejtori i Ujësjellësit, Sahit Dollapi, deklaroi se në këtë zonë po bëhet një investim për të shkëputur nga rrjeti lidhjet e paligjshme, të cilat rrezikojnë cilësinë e ujit dhe kjo është arsyeja e thatësirës.

Investimi do të zgjasë rreth një muaj e gjysmë dhe pasojat do t’i vuajnë edhe abonentët që kanë kontratë. Por sipas Dollapit, nuk bëhet fjalë për një ndëshkim kolektiv, por për një ndëshkim teknik.

“Investimi ka filluar dhe mund të zgjasë një muaj, një muaj e gjysmë, pasi e gjithë zona është informale, është pa rrjet shpërndarës dhe ka marrë në mënyrë të paligjshme ujin”, sqaroi drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve, Sahit Dollapi.

Sipas tij, 95% e banorëve të këtyre zonave nuk i paguajnë faturat, por insiston se nuk është ndëshkim kolektiv.

Por edhe pas përfundimit të këtij investimi, banorët e Shkozës që paguajnë rregullisht detyrimet ndaj ujësjellësit nuk do të kenë më ujë 24 orë pa ndërprerje, si më përpara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA