Shteti në borxh me “specialet”

11/07/2010 18:00

Dy ditë më parë këta djem që janë efektivë të Njësisë Operacionale Speciale u deklaruan mes më të mirëve të policisë shqiptare, por pavarësisht këtij vlerësimi moral për ta, këta djem prej tetë muajsh nuk po u jepen pagesat për shpërblimet dhe dietat mbi dhjetra operacione të kryera me sukses prej tyre.

Janë të paktën 30 efektivë të strukturës operacionale speciale të Tiranës të cilëve që prej nentorit 2009 u janë mohuar pagesat shtesë me pretendimin e financierëve në polici se nuk ka buxhet.

Secilit prej tyre shteti u detyrohet mbi njëqindmijë lekë, natyrisht të reja, të cilat janë konkretisht shpërblimet për operacione të rrezikshme ku ata kanë marrë pjesë si dhe dietat për shërbime jashtë qarkut për vëzhgim apo mbikëqyrje personash të dyshuar për veprimtari kriminale.

Disa prej këtyre oficerëve të kontakuar prej Top Channel, për shkak të rëndësisë sekrete të kësaj strukture nuk kanë pranuar të japin asnjë koment, aq më tepër pas daljes së këtij informacioni jo shumë kohë nga ceremonia e bujshme e trajnimit të tyre nga një repart tjetër special sikurse është RENEA.

Në fakt vetë Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ishte i pranishëm në këtë aktivitet duke u komunikuar mediave se kjo strukturë është “dallëndyshja e parë” që njofton ngritjen e strukturave të ngjashme në të githë vendin.

Mes operacioneve ku oficerët e kësaj njësie janë përfshirë duke u inflirtruar në grupe kriminale për t’i goditur është operacioni “Piramida”, ku ranë në pranga 26 persona për falsifikim kartmonedhash, apo goditja e nje grupi tjeter për falsifikim diplomash, vulash zyrtare dhe eurosh, arrestimin e një të shumëkërkuari nga Tropoja për vrasje të trefishtë si dhe dhjetra operacione të tjera të kryera gjatë shkëmbimit të drogës mes grupeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA