Berisha kujton masakrën e Srebrenicës

11/07/2010 14:20

Kryeministri Sali Berisha ka kujtuar 15 vjetorin e masakrës së Srebrenicës me anë të një mesazhi të bërë publik në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave.

Më poshtë vijon mesazhi i plotë i kreut të qeverisë:
 
“Shpirtrat e fëmijëve, grave, të rinjve, të moshuarve, viktima të Srebrenicës, kërkojnë nga njerëzit e lirë, qeveritë  e e tyre, OKB-ja, drejtësi. Ata  do të mund të prehen të qetë, vetëm atëherë kur xhelatët  e tyre  do të marrin dënimin më të rëndë që meritojnë.

Sot është 15 vjetori i barbarisë më të pa parë, genocidit më të egër, më mizor, të pasluftës së dytë botërore, masakrës masive të Srebrenicës, në të cilën mbi 8 mijë civilë, burra, gra, fëmijë, të vendosura nën mbrojtjen të trupave të OKB, u ekzekutuan dhe shfarosën nga falangat  e Millosheviçit e Mlladiçit, vetëm e vetëm për përkatësinë e tyre etnike dhe besimin e tyre fetar.

Sot, në këtë përvjetor zije, dhimbja, përgjegjësia, por edhe lëndimi i ndërgjegjes së njerëzimit, për këto mijëra e mijëra jetë të pafajshme, të marra mizorisht, janë më të mëdha se 15 vjet më parë. Kjo sepse  ende autori  kryesor, kryexhelati i këtij gjenocidi, Radko Mlladiç dhe shumica e xhelatëve të saj gjenden të lirë.

Shpirtrat e fëmijëve, grave, të rinjve, të moshuarve, viktima të Srebrenicës, kërkojnë nga njerëzit e lirë, qeveritë  e tyre, OKB-ja, drejtësi. Ata  do të mund të prehen të qetë, vetëm atëherë kur xhelatët  e tyre  do të  marrin dënimin më të rëndë që meritojnë”.

Top Channel