AKEP: Telefonia fikse, rritje me 200 lekë

11/07/2010 09:45

AKEP përgatitet të marrë vendim për të rritur tarifën fikse të pajtimit mujor për telefoninë fikse, me rreth 200 lekë, duke e bërë gati 600 lekë (pavarësisht se flet apo jo).

Vendimi vjen në kuadër të balancimit të ofertave dhe kostos për kompaninë “Albtelecom”.

Por duke parë tarifat fikse në rajon, mund të thuash se në Shqipëri aplikohet niveli më i ulët.

Nga të dhënat që ofrojnë agjencitë kompetente për tregun e telefonisë në Europën Juglindore, rezulton se edhe me tarifën e rritur, Shqipëria del me nivelin më të ulët, kurse më të lartën e kanë kroatët dhe kosovarët, me 10 dhe 8 euro përkatësisht, duke ardhur në rënie deri te serbët, me 2.6 euro.

Këto janë tarifa fikse që aplikohen nga shoqëritë e telefonisë fikse, pavarësisht nivelit të përdorimit dhe që vendosen si masë për të përballuar koston e shërbimit (fatura etj).

Gjithsesi, raporti vë në dukje disa probleme të përdorimit të telefonisë fikse në Shqipëri, e cila nuk paraqitet në nivelet mesatare të rajonit dhe akoma e më keq duket në raport me Bashkimin Europian.

Sipas raportit, norma e penetrimit të telefonisë fikse në Shqipëri është 10 për qind, më e ulëta në rajon, e cila ka një normë mesatare prej 26 për qind (Kroacia 38 për qind dhe Serbia 41 për qind), ndërsa në BE përdorimi i telefonisë është shtrirë në 40 për qind.

Në total vlerësohen rreth 24.4 milionë numra fiks në të gjithë rajonin e Europës Juglindore (8 vende), ku në vend të parë renditet Turqia me 18 milionë numra, e ndjekur nga Serbia me mbi 3 milionë, e me radhë Shqipëria 300 mijë, Mali i Zi 175000 dhe Kosova 96000 (të dhënat, 2008).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA