
Gjendet kanabis në fshat, pranga kryeplakut dhe punonjësit të policisë pyjore për moskallëzim krimi.
Ka qenë operacioni i koduar “Bliri”, i organizuar nga Policia e Tepelenës, që ka bërë të mundur zbulimin e dy parcelave me kanabis dhe prangosjen e dy zyrtarëve, ndërkohë që pronari i lëndës narkotike është shpallur në kërkim policor.
Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se gjatë një kontrolli të kryer mëngjesin e djeshëm në pyllin e fshatit Peshtan të rrethit Tepelenë, në vendin e quajtur “Përroi i Shën Mërtrit”, janë zbuluar dy parcela me bimë narkotike. Në momentin e mbërritjes së policisë, pronari i parcelave ka mundur të largohet duke i shpëtuar prangosjes.
Gjatë kontrollit rezultoi se në dy parcelat ishin mbjellë në total 152 rrënjë kanabis sativa. Ndërkohë policia ka identifikuar si autor të kultivimit të këtyre bimëve, 42-vjeçarin Edmond Malo, lindur dhe banues në fshatin Peshtan. Burime të policisë bëjnë të ditur gjithashtu se nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Edmond Malo, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike rreth një kilogram marijuanë, 540 fishekë model 56, 6 krehëra me fishekë, një armë gjahu, të cilën e mbante pa leje dhe një sasi e dyshuar si farë bime narkotike. Ndërkaq, policia ka shoqëruar kryeplakun e fshatit Artur Malo dhe Novruz Hysin, specialist i pyjeve, për “moskallëzim të krimit”.
Top Channel