Gjirokastër, dhunohet drejtori i gjimnazit

10/07/2010 08:25

Rrihet barbarisht nga fqinjët e tij drejtori i gjimnazit “Siri Shapllo” në Gjirokastër.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, kur Panajot Qurku dhe bashkëshortja e tij po ktheheshin për në banesën e tyre që ndodhet në lagjen “Kodra e Shtufit”. Por duke u ngjitur nëpër shkallë ata janë përplasur me fqinjët e tyre, familjen Kalemaj, me të cilët prej kohësh kishin konflikte.

Qurku ka kërkuar ndihmën e policisë, por në këtë kohë është dhunuar fizikisht nga Rexhep dhe Aleksandër Kalemaj, babë e bir. Këta të fundit kanë nisur ta godasin me mjete të forta Panajot Qurkun, duke i shkaktuar atij plagë të rënda në pjesën e prapme të kokës, fytyrë, bark dhe kurriz. Në këtë kohë kanë mbërritur uniformat blu, të cilët kanë ndaluar agresorët, ndërkohë që 55-vjeçari është dërguar me urgjencë në drejtim të spitalit rajonal të qytetit.

Konfliktet mes Kalemajve dhe Qurkut kanë qenë të vazhdueshme. Jo më larg se një vit më parë, Kozeta Kalemaj, 40 vjeçe, ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e drejtorit të gjimnazit, Tefta Qurku.

Kjo e fundit, pasi u dhunua, paditi në gjykatë personat e arrestuar sot dhe të dy shkallët e gjyqësorit i dhanë të drejtë, duke kërkuar dënimin e agresorëve me gjobë deri në 1 milion lekë. Kur ka kaluar një vit nga dhënia e vendimit të formës së prerë nga shkalla e dytë e gjyqësorit të Gjirokastrës dhe mosshlyerja e shumës së përcaktuar nga ana e të dënuarve, ngjarja përsëritet, por këtë radhë objekt i dhunës ka qenë drejtori i shkollës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA