Samiti i Dubrovnikut

09/07/2010 23:00

Duke përshëndetur marrëveshjen që Kroacia dhe Sllovenia kanë gjetur për kufirin e tyre detar, kryeministri Berisha tha se ruajtja e kufijve ekzistues është jetike për sigurinë e rajonit.

“Është një moment shumë interesant për vendet tona, interesi i tyre kombëtar po bëhet identik me idealet europiane, interesin europian. Unë e them me zë të lartë, se ruajtja e kufijve aktualë është në interes të shqiptarëve”, deklaroi Berisha.

Ky pohim i prerë merr vlerë të veçantë në këto momente, kur situata jo e qetë në veri të Kosovës ka rigjallëuar idetë e një ndarje të Kosovës apo këmbimi territoresh me Serbinë.

Samiti i Dubrovnikut trajtoi përballjen e Europës Juglindore me sfidat globale. Një e tillë është edhe kriza ekonomike. Kryeministri Berisha pranoi se kriza me euron përbën rrezik edhe për Shqipërinë, që ndonëse jashtë eurozonës, gjendet nën varësinë e monedhës së përbashkët.

“Euro ka filluar të kthehet sërisht në Shpaten e Demokleut për ekonominë tonë të eurozuar. Kjo është e verteta. Do të kërkoja që të hidhni një sy nga vendet tona. Ne jemi jashtë Eurozonës, por jemi nje vend i eurozuar. Banka Europiane për Investime, BERZH-i, po adopton politika më agresive, por kur une shoh sistemin tonë bankar në një situatë ende të ngurtë, unë kuptoj se më shumë ndërhyrje tek euro do të ishin të një rëndesie jetike për të na ndihmuar ne të parandalojmë një situatë të vështirë dhe serioze në të ardhmen”, tha më tej kryeministri shqiptar.

Në këtë samit marrin pjesë kryeministrat e Krocisë, Francës, Polonisë, Sllovenisë, Bullgarisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, si edhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian dhe Parlamentit Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA