
Instituti i Statistikave deklaroi se pas rënies që shënoi në fund të vitit të kaluar, ekonomia ka filluar ta rimarrë menjëherë veten në tremujorin e parë të këtij viti, ndonëse me ritme të ulëta.
“Gjatë këtij tremujori ekonomia u rrit me 2 për qind krahasuar me tremujorin e parë të 2009-ës dhe 1.8 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të 2009-ës”, thekson specialisti i llogarive kombetare, Ledjon Shahini.
Sipas INSTAT, rigjallërimi ekonomik ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes se industrisë, dhe më saktësisht prodhimit vendas të energjisë. Në sektorët e tjerë, bujqësia ka shënuar një rritje me 2.3 për qind krahasuar me vitin e kaluar, tregtia me 4.8 për qind ndërsa transporti me 11.4 për qind.
Sektori që ka patur rënie të fortë gjatë këtij viti është ai i ndërtimit, kjo si pasojë e tkurrjes së fortë të investimeve publike nga ana e qeverisë, por edhe gjendjes jo pozitive në tregun e pasurive të patundshme.
Top Channel