Një nga pikat e rezolutës së Parlamentit Europian, ngritja sa më shpejt e një komisioni hetimor që të ketë mandatin për të hetuar materialet zgjedhore, ka ndezur shpresat se demokratët dhe socialistët mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për tejkalimin e mosmarrëveshjeve.
Të paktën kjo u la të kuptohet gjatë mesditës në parlament, kur kryeministri Sali Berisha dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci, pranuan këtë pikë të rezolutës.
“Të fillojmë pa vonesë shqyrtimin, sipas metodikës që do të biem dakort, të materialeve të votimit. Le t’i kthehemi traditës së bashkëpunimit në interesin tuaj më të mirë. Në përputhje me këtë rezolute, në interesin më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të ulemi bashkarisht, të punojmë në komision, të merremi me shqyrtimin, sic është përcaktuar të materialeve të votimit, në përputhje me nenin, të merremi me hartimin e amendamenteve, t’i sillni këtu dhe të tregojmë të gjithë përgjegjësitë tona, të gjithë pjekurinë tonë politke, në menyrë që ëndrra europiane e shqiptarëve të ecë në mënyrë të pandalshme drejt realizimit të saj të plotë”, ka deklaruar Berisha.
Nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci u shpreh: “Humbëm 12 muaj kohë vetëm për këtë fjali, vetëm për këtë dakortësi, vetëm për domosdoshmërine e hetimit të zgjedhjeve, vetëm që përbërja të jetë me shumicë nga opozita, drejtimi të jetë nga opozita dhe objekti i kërkuar nga opozita dhe në një kohë sa më të shpejtë që të bëjmë reformën elektorale. Ja pse, zotërinj të mazhorancës, është koha që atë që pohuat sot të ulemi. Ne ua kemi bërë apel 12 muaj më parë, të ulemi, të ulemi, të ulemi. Por më mirë vonë së kurrë. Ja ku jemi. Ne këtu do të jemi. Pra, opozita shqiptare është, duke nisur nga funksionimi i demokracisë, që fillon me hetimin e zgjedhjeve, per t’u ulur bashkarisht dhe t’i zgjidhim këto”.
Ajo që nuk u qartësua shumë mirë nga këto deklarata në Parlament, është fakti, nëse palët bien dakort që materialet zgjedhore do të mund të hetohen apo jo sipas nenit 178 të Kodit Zgjedhor, që në një nga pikat e tij parashikon djegien e fletëve të votimit. Deri tani zbatimi i kësaj pike nuk është pranuar si kompromis për hetimin e zgjedhjeve nga Partia Socialiste.
Ndërkohë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka përshëndetur rezolutën e miratuar nga PE dhe ka ftuar opozitën që të bashkëpunojë për zbatimin e saj.
Numri dy i qeverisë shqiptare ka përshëndetur gjithashtu ftesën që kryeministri Berisha i bëri PS-së në Kuvend, gjë që sipas tij tregon gatishmërinë e mazhorancës për ta implementuar rezolutën.
“Kjo rezolutë jep shumë qartë rrugën se si duhet ecur në drejtimin e duhur, ndaj vlerësoj ftesën e kryeministrit drejtuar PS dhe opozitës për të punuar së bashku për zbatimin e kësaj rezolute. Të dy palët e përshëndetën rezolutën dhe tani mbetet vetëm vullneti për ta zbatuar”, ka deklaruar Meta.
Top Channel