Nga ndërtesa e hoteleri-turizmit, ku banon prej tre vjetësh, në Tiranë del shumë rrallë për të shkuar në konsultore, ose në burgun 302 ku takon Klodianin, me të cilin ka lidhur jetën. Është 20 vjeçe dhe quhet Mjaftonie, është në vitin e tretë të shkollës së mesme për Topografi.

Siç ecën ngadalë, nën peshën e “mbajtjes së fëmijës” edhe mendimet e saj vijnë ngadalë, “e përmbajtur” në dhimbje, aq sa për të thyer heshtjen.

E lindur në Vlorë dhe e rritur në Shtëpinë e Fëmijes në Shkodër, i ati ndërroi jetë kur ajo ishte 2 vjeç, vajza e tretë, mes katër fëmijëve, u braktis nga nëna pasi kjo e fundit u “dëbua” nga njerëzit e të atit. Në këto kushte “nëna biologjike” lidhi kurorë me një tjetër njeri, me të cilin aktualisht ka dy fëmijë.

Mjaftonia thotë se gjatë gjithë jetës së saj është bërë vetëm me të vëllanë, dy motrat më të rritura “pothuajse nuk i njeh fare”, “njëra prej tyre”, e dyta në rradhë, në moshën 13 vjeçare ka patur këtë histori:
 
“E kanë shitur njerëzit e babait, ajo ka qenë 13 vjeçe, ndërsa tani është 22 vjeçe dhe nuk e di ku ndodhet”, tregon Mjaftonia.

Ndërsa me motrën e madhe është njohur një vit më parë, në shtëpinë e së cilës “prezantoi” Klodianin, të fejuarin e saj, që i bashkoi i njëjti fat, të qenurit jetimë.

“Siç isha unë jetime, edhe ai ishte jetim, unë e çova tek njerëzit e mi ata e pëlqyen, i kërkoi dorën vëllait tim dhe unë dhash pëlqimin”, thotë Mjaftonia.

Për të mbrojtur “dashurinë” e tyre, me status të cunguar dhe në mungesën e strehimit, ata vendosin “të bëhen prindër”, një përgjegjësi, për të cilin çiftet mendohen gjatë, ndërsa për këta të dy ”ishte shkëndijë” në ditën kur njerëzit festonin ndërrimin e viteve.

“Unë doja që Klodiani të ishte i kënaqur me mua dhe unë me atë, të dy jemi rritur rrugëve”, theksoi Mjaftonia.

Ajo ka nevojë për kujdes mjeksor dhe ushqim të zgjedhur, e pandihmuar nga askush, e varur nga “kazani i madh” i mencës së konviktit, thotë se “është mësuar me këtë jetë” kur vështirësitë nuk të lejojnë që t`i bësh gjërat deri në fund.

“Kam qenë një natë me 39-të temperaturë, fillova të bëj analizat. Të anemisë nuk i bëra sepse nuk kisha lekë”, thotë Mjaftonia.

Si rrallë herë, në një “vitrinë” shikon se çfarë mund t`i shkojë bebit të saj, mes morisë “së veshjeve dhe ngjyrave” është në dilemë, por zgjedh një palë këpucë, një kujtim i bukur ky nga “Pasditja në Top Channel”.

“Ia kam blerë të gjitha bebit. Ia kam përgatitur. Entela, mikesha ime, më ka dhënë disa rroba, një familjar më ka falur govatën”, shprehet Mjaftonia.

Lumturia e saj të prek, të kënaq dhe të trishton njëkohësisht. Kur tenton të mësosh më shumë, mbi jetën e saj, se si ka rrjedhur deri këtu, ajo që të bën përshtypje është “falja”.

“Më ka ardhur keq që babai ka ikur herët, sepse po të ishte ai gjallë nuk do të ishim rritur kështu, rrugëve”, thotë Mjaftonia.

Ajo pret të sjellë në jetë fëmijën e  parë, e re, e pamësuar dhe e pambështetur, me sytë tek “zoti” dhe shpresën e madhe që “fati” i tij të mos të jetë i ngjashëm me të sajin. Një “lutje e madhe” që do të marrë kuptim, kur ajo të shtrëngojë në krahët e saj pasardhësin.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel