Kanë zgjedhur t’i marrin jetës dhuratën më të bukur, ndonëse jo pa kosto.

Janë artiste dhe vajza të njohura të ekranit. I njohim gjithnjë në distancë, por sot do t’i takojmë teksa shijojnë në momentet e tyre më intime kënaqësinë e të qenurit prind.

“M’a ka bërë jetën shumë të bukur. Të jesh nënë, është një nga gjërat më të bukura të jetës”, shprehet aktorja Eni Jani. Iva Korumi, prezantuesja bukuroshe në Top-Albania Radio sapo ka sjellë në jetë Darlinën.

Por krijesa vetëm 6-muajshe ka nxitur shumë sakrifica në jetën e mamit. “Isha planifikuar mirë edhe në shtatëzani dhe kisha parshikuar edhe të ardhmen me sakrifica. Ndonjëherë të vjen keq kur kur të duhet të heqesh dorë nga disa gjëra, por kur shoh këtë gëzimin tim as që e mendoj fare”, pohon ajo.

Më shumë sesa një nënë gazetare, nuk mund ta ndjejë kush peshën e vështirësisë së të qenurit nënë. Sidomos kur fëmijët vijnë në jetë dyshe, sic janë Frenkli dhe Heldi, binjakët e prezantueses se lajmeve dhe gazetares Beti Njuma. “Eshtë padyshim eksperienca më e bukur. Është një eksperiencë që do e përsërisja edhe herë të tjera. Eshtë një shkollë e madhe të qenurit nënë. Të bën të kesh përparësi gjëra të tjera, sesa karriera. Ata të japin frymëzim, arsyen për të ecur para”, thekson Beti.

Por realizimin e ëndrrës për të qenë nënë këto vajza e kanë paguar me çmimin e karrierës. “Nuk është se i jam kthyer plotësisht punës. Akoma po shijoj vajzën dhe nuk po mendoj fare për karrierën. Por, kur mendoj që në shtator do ta le, sesi më vjen”, vijon Iva.

Mes dy zgjedhjeve të rëndësisme në jetë, dashurisë prindërore dhe karrierës që për to nuk është pak, dikujt do t’i takojë të sakrifikohet. “Kur ishin të vegjël i kam lënë edhe me periudha të gjata. Një javë për shpalljen e pavarësisë. Tani qe janë rritur e kam të vështirë t’i le. Janë më të lidhur pas meje, duan më shumë afeksion”, shton Beti.

Kur vjen puna për karrierën e saj, aktorja Eni Jani nuk mjaftohet me pak. E adhuron Stinën e saj kapricioze, por puna ka më ngut. “Punoj në televizion dhe kur më bie në dorë ndonjë projekt, shkoj dhe në punë. Është shumë e vështirë t’i bëj të dyja. Kështu që sakrifikoj Stinën. herën e parë që me erdhi një projekt, Stina ishte 9 muaj. Qante kur ikja dhe unë rrija pas derës dhe dëgjoja, do pushonte apo jo”, shprehet Eni. Një marrëdhënie me shumë sakrifica, sidomos për to që ndonjëherë kryqëzojnë karrierat e tyre. Megjithatë, ndjesinë e të qenurit ato nuk friksohen të rijetojnë edhe herë të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA