
Uruguaj është “hirushja” e këtij edicioni të Kupës së Botës. Mund të cilësohen si të paftuarit e gjysmëfinaleve, antipatikët. E gjithë Afrika bën tifo kundër tyre: më parë eliminuan afrikano-jugorët, ndërsa më pas Ganën, shpresën e fundit të “Kontinentit të Zi”.
Pas katër ndeshjeve përballen sërish me një përfaqësuese europiane: aventura e tyre në Botërorin 2010 nisi me Francën (barazim 0-0), ndërsa më pas janë ndeshur me Afrikën e Jugut, Meksikën, Korenë e Jugut dhe Ganën.
Përveç fitores 3-0 me Kombëtaren e vendit organizator, që i kushtoi largimin gjyqtarit Busaka vetëm sepse zbatoi rregulloren, kanë regjistruar fitore minimale ose barazime, megjithatë vazhdojnë të jenë mes katër më të mirave në botë.
Pas 40 vjetëve, uruguajanët prezantohen në gjysmëfinale, duke të krijuar përshtypjen se nuk kanë çfarë të shfaqin më shumë. Kësaj i shtohet lodhja (janë skuadra e vetme që në 1/8 dhe në çerekfinale ka luajtur dy ndeshje nga 120 minuta), ndërsa “beteja” me ganezët ka lënë pasoja: Lodeiro është i dëmtuar, Lugano seriozisht në dyshim, ndërsa ylli i sulmit, Suarez i skualifikuar për “Dorën e Zotit”, episodin vendimtar që i dhuroi skuadrës së Tabarez kualifikimin. Janë krenarë dhe dëshirojnë me patjetër të hyjnë në histori, ndoshta duke u mbështetur te Forlan.
Top Channel