Motori mbetet gjithmonë Iniesta

06/07/2010 14:00

Spanja u falet këmbëve të David Vijës. “Vija Meravija” duket i “bekuar” në Afrikën e Jugut 2010. Gjithçka që sulmuesi i Barcelonës bën, funksionon.

Mos të ishte për golat e tij, aventura e “Furisë së Kuqe” do të kishte përfunduar prej kohësh dhe të gjithë në gadishullin Iberik do të akuzonin si fajtor Fernando Torresin. Kjo, pavarësisht faktit se vjen nga një sezon ku është operuar dy herë. Pesë golat radhazi të shënuar nga Vija, i kanë dhënë një kuptim manovrës këmbëngulëse të lojës, karakteristikë e Spanjës së Del Boskes.

Paraguai tregoi në çerekfinale si mund të “frenohen” kampionët e Europës: presing i lartë dhe në të gjithë fushën mbulim me dy lojtarë i kundërshtarit që ka topin dhe një përqendrim i lartë difensiv. Gjithsesi, as kjo formulë nuk u mjaftoi amerikanojugorëve.

Në lojën e spanjollëve, ku dirigjentët janë Ksavi dhe Iniesta, ka diçka që i hipnotizon rivalët. Kur e kupton si funksionon, ke shpenzuar aq shumë energji, saqë është thuajse e pamundur të ruash përqendrimin deri në minutën e 90. Jo më kot, përpara startit të Kupës së Botës 2010, “Furia e Kuqe” kishte regjistruar 44 fitore në 48 ndeshje. Me Pedron ose Lorenten në sulm, në vend të Torresit, Spanja mund të gjejë shkëlqimin që i mungon në zonën kundërshtare.

Top Channel