
Pas dy ditëve pushim, sot skuadrat kthehen në fushë. Yje, taktika dhe talente, udhëtim mes katër skuadrave të mbetura në garë për titullin.
Kupa e Botës 2010 ka hyrë në fazën e “nxehtë”. Sot në mbrëmje, në Kejp Taun, Holanda dhe Uruguai kthehen në fushë, ndërsa nesër është radha e Gjermanisë dhe Spanjës për të përcaktuar finalistet e këtij edicioni. Këto janë katër gjysmëfinalistet, që gjatë kësaj jave do të dhurojnë betejë për trofeun më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
Cila është më kompakte? Cila ka më shumë probleme? Tashmë po ju japim një përmbledhje të shkurtër. Në të vërtetë asnjë prej katër përfaqësueseve të mbetura në garë nuk mund të thotë me siguri se nuk ka probleme. Holanda rrezikon të mos ketë në dispozicion Van Persin, Uruguai ka probleme me mbrojtjen dhe duhet të bëjë pa shërbimet e të pezulluarit Suarez në sulm, Gjermanisë i mungon Tomas Myler (i skualifikuar me kartonë), ndërsa Spanja është e pakënaqur me Fernando Torres dhe nga produktiviteti i paktë i sulmit: reparti ofensiv bëhet më i rrezikshëm sa herë që Del Boske zëvendëson “El Nino”-n. Kundër gjermanëve, ndoshta do të ishte më mirë që sulmuesi i Liverpulit ta niste ndeshjen nga stoli.
Top Channel