Vlorë, priten investime për plazhin e Nartës

05/07/2010 08:25

Plazhi i Nartës është ndër më të bukurit e bregdetit të Vlorës. Dy javë më parë zona u përfshi nga aksionet e ndërtimorëve, të cilët shembën 15 restorante, bare dhe ndërtime të ndryshme pa leje. Tashmë zona duket se po rilind.

Ajo është pastruar nga gërmadhat dhe po bëhet gati për pritjen e pushuesve, të cilët këtu mund të gjejnë detin e pastër dhe rërën e bardhë. Sipas Fredi Berberit, kreut të Komunës Qendër, që administron këtë zonë, lokalet e ndërtuara pa kriter në këtë plazh ishin bërë pengesë serioze për kryerjen e investimeve serioze.

“Tashmë pas aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje, u krijuan kushtet për fillimin e investimeve për rehabilitimin e plazhit dhe për ta kthyer këtë zonë turistike në parametra bashkëkohorë. Me investimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që prej një jave ka filluar puna intensive për rehabilitimin e zonës së plazhit të Zvërnecit dhe Nartës. Këto ditë pritet të bëhet pastrimi dhe përpunimi i rërës së plazhit, duke e situr dhe hequr papastërtitë”, ka thënë për “Shqip” kreu i Komunës Qendër.

Ndërkaq, ai ka vijuar se së shpejti do të nisë puna për rehabilitimin e rrugës kryesore që lidh plazhin me pjesën tjetër të vendit. Është parashikuar që të bëhet asfalti dhe ndriçimi i saj, të ketë vend parkimi për makina dhe banja publike, në anë të saj. Ndërkaq, do të punohet për shtrirjen e tubacionit të ujit të pijshëm nga Vlora në zonën e plazhit, si dhe do të ngrihet një qendre shëndetësore që do t’u vijë në ndihmë pushuesve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA