Psikiatriku i Elbasanit kërkon transferimin e 60 pacientëve

05/07/2010 08:00

Mungesë kapacitetesh për trajtimin e të sëmurëve mendorë, si dhe mungesa e personelit mjekësor.

Këto mbeten dy problemet më shqetësuese për spitalin rajonal psikiatrik, “Sadik Dinçi” në qytetin e Elbasanit. “Nuk kemi më mundësi strehimi dhe trajtimi për çdo të sëmurë që paraqitet në spitalin tonë. Përveçse një kategorie të sëmurësh, nuk mund të pranojnë çdo rast që vjen këtu”, ka pohuar drejtori i këtij spitali, Kamber Balla.

Sipas tij, në godinën spitalore strehohen dhe trajtohen prej vitesh rreth 60 pacientë, që nuk janë të sëmurë psikikë, por persona që shfaqin prapambetje mendore. Pjesa dërrmuese e tyre janë të braktisur nga ana e familjarëve. Sipas drejtorit të spitalit, Kamber Balla, ky kontingjent nuk duhet të strehohet në psikiatri, pasi janë jo vetëm janë një barrë e papërballueshme e spitalit, por dhe kjo kategori rëndohet më shumë nga ana psikologjike për shkak se jetojnë mes të sëmurëve mendorë.

Sipas drejtuesve të spitalit këta pacientë, marrin një të pestën e financave të spitalit dhe një pjesë e mirë e personelit kujdeset për ta. Në këto kushte, Balla propozon që kjo kategori të  sëmurësh, të strehohen në shtëpitë komunitare të ngritura në qytetin e Cërrikut dhe në qendrën sociale “Balashe”.

“Në këtë spital ka mungesë të theksuar të personelit dhe stafit psiko-social dhe mjekësor. Aktualisht shërbejnë 3 punonjës psiko-socialë dhe numri i tyre duhet të jetë 9. Ndërkohë, mjekët që shërbejnë janë 4 nga shtatë që përcaktohet në organikën shtetërore. Në këto kushte duhet që të merren masa sa më shpejt për sistemimin e të sëmurëve”, ka përfunduar Balla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA