Partia Socialiste i është përgjigjur menjëherë sulmeve të kryeministrit, i cili në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike akuzoi opozitën se është kundër rritjes së pagave dhe pensioneve.
“Është e pamoralshme ajo që thotë Berisha se ne jemi kundër rritjes së pensioneve. Ne jemi për një rritje reale të pensioneve, të cilat nuk mund të rriten pasi në 5 muaj qeveria ka 12 miliardë borxhe”, ka deklaruar deputeti Ilir Beqja.
Beqja tha se kryeministri po mashtron me rritjen e pensioneve, e cila sipas PS-së është më e ulëta e dhjetë viteve të fundit.
“Rritja e pensioneve në qytet është më e ulëta në 10 vitet e fundit dhe po ashtu edhe në fshat”, ka pohuar Beqja, teksa tregonte një grafik me të dhënat.
Beqja tha se nuk ka rritje reale të pensioneve, pasi sipas tij janë vetë të dhënat zyrtare të qeverisë që konfirmojnë se edhe me shtesën e fundit pensionistët blejnë më pak se vjet.
“Ka një inflacion specifik për pensionistët, që është më shumë se 5 për qind. Është shtrenjtuar me 13% energjia elektrike, nuk ka pensione të rritura për pensionistët shqiptarë”, ka shtuar Beqja.
Top Channel