Kukës, akuza për hallën e Bleonës në “Facebook”

05/07/2010 08:15

Pas disa ditësh heshtjeje rikthehet në skenë çështja “Bleona”.

Këtë radhë, as nga policia dhe prokuroria, por nga persona anonimë, të cilët, me anë të internetit, janë përpjekur të tërheqin vëmendjen lidhur me vajzën e humbur.

Në faqen e rrjetit social “Facebook” thuhet se vajza ka vdekur dhe se fajtorët ndodhen në familje. Në rrjetin social, persona anonimë kanë shkruar se Bleona 6- vjeçare është vrarë në mënyrë barbare, nga një pjesëtar i familjes, e pikërisht halla e saj. Njoftimi në “Facebook” nuk jep detaje të tjera dhe është nisur si një konfirmim ogurzi, duke thënë që të mbahet “një minutë heshtje” për humbjen e vogëlushes nga Zapodi.

I shkruar me gabime drejtshkrimore, në 3-4 rreshta, njoftimi shpreh keqardhjen dhe mllefin për hallën e viktimës, e cila konsiderohet fajtore për zhdukjen misterioze të vogëlushes. Njoftimi nuk përbën një fakt juridik, pasi nuk ka asnjë autor, por përbën një nxitje, një ngacmim për policinë dhe për prokurorinë që pas rreth një muaj e gjysmë hetimesh nuk kanë asnjë të dhënë për fatin e vogëlushes nga Zapodi.

Njoftimi është afishuar në internet në orët e vona të së shtunës, ndërsa lajmi u përhap mes banorëve të Kukësit mëngjesin e së dielës. Për njoftimin në rrjetin social është informuar edhe familja Mata, në Zapod, por nuk ka pasur ndonjë reagim prej saj. Gjyshi i Bleonës, Zeneli, i cili punon si mësues në fshat, gjatë një bisede në telefon, sqaroi për “Shqip” se një i afërm i kishte njoftuar me telefon për çfarë kishte ndodhur. “Nuk kam asnjë koment dhe as nuk i njoh personat që paskan shkruar në internet. Nuk mund të them nëse kanë thënë të vërtetën, apo kanë përhapur mjegull. Kjo i takon organeve kompetente ta zgjidhin, nëse ka diçka të vërtetë pas kësaj”, ka thënë për “Shqip”, gjyshi i Bleona Matës.

Ndërkaq ai ka pohuar se rreth një javë më parë në shtëpi, u ka ardhur një letër solidariteti, e shkruar nga një grup të rinjsh nga Kukësi. “Para një jave kam marrë një zarf ku ndodhej një letër e shkruar nga një grup të rinjsh, (siç thuhet në të), të cilët shprehin solidaritetin me familjen dhe zotohen se do ta kërkojnë Bleonën me anë të internetit”, ka vijuar Mata, duke shtuar se nuk i njihte këta të rinj, pasi letra kishte mbërritur me postë dhe për më tepër shprehte thjesht solidaritet dhe nuk ishte diçka për t’u dyshuar. Në të vërtetë për shumë ditë me radhë, shumë të rinj kuksianë kanë shprehur në faqen e “Facebook”, solidaritetin për ngjarjen e paprecedentë të zhdukjes së Bleonës 6-vjeçare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA