Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se për rritjen e rrogave dhe pensioneve nuk janë prekur kursimet e shqiptarëve.Ai theksoi se ekonomia shqiptare është në një situatë mjaft të mirë dhe eksporti ka shënuar rritje si asnjëherë tjetër.
Duke folur me tone optimiste në mbledhjen e deputetëve demokratë, shefi i qeverisë u shpreh se reagimi i opozitës për rritjen e pensioneve ka qenë tërësisht i pabazë.
“Nuk kemi prekur asnjë qindarkë nga kursimet e shqiptarëve për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Ministri i Financave të paraqesë të gjitha të dhënat në Komisionin e Ekonomisë dhe deputetëve t’u bëhet disponibël i gjithë bilanci i të ardhurave në këtë 6 mujor”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, në kohën kur demokratët erdhën në pushtet borxhi ishte në vlerën 72 përqind, ndërsa sot ai është 59.5 përqind.
Një vit pas krijimit të koalicionit qeverisës PD-LSI, Berisha vlerësoi se ky bashkëpunim iu përmbajt parimeve, realizoi integrimin ndërsa vlerësoi se puna do të jetë afatgjatë.
Top Channel