Përleshjet në Hamallaj, 4 në arrest me burg

04/07/2010 19:30

Në Gjykatën e Shkallës së parë Durrës është bërë vlerësimi dhe caktimi i masës së arrestit për 7 personat e arrestuar ditën e enjte, pak orë pas përleshjes së përgjakshme mes banorëve dhe pronarëve të ndërtimeve paleje në Hidrovor dhe forcave speciale të policisë. (UPDATE)

Gjyqtari Rexhep Bekteshi, në seanca të veçanta gjyqësore ka vlerësuar si të ligjshme arrestimet dhe ka lënë në burg paafat 4 prej tyre, 2 të tjerë janë lënë në masë arresti 20 ditore, ndërsa një tjetër është lënë i lirë me detyrim paraqitjeje pranë policisë gjyqësore, ndërkohë që vijojnë hetimet.

Prokurori i çështjes, Vladimir Mara ka përshkruar ngjarjen që ndodhi paraditen e së enjtes, kur turma ka qëlluar me gurë, shkopinj e shishe me benzinë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Si rezultat kanë mbetur të plagosur 4 efektiva të policisë, 3 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Avokatët mbrojtës u përpoqën të heqin përgjegjësinë nga klientët e tyre duke deklaruar se kanë qenë të rastësishëm dhe kanë kërkuar lirimin e tyre në sallën e gjyqit.

Ndërkohë prokuroria ka kërkuar që të administrohen zyrtarisht me cilësinë e provës materiale dhe filmimet e bëra nga operatori i Top Channel në vendin e ngjarjes.

Personat nën hetim akuzohen për veprat penale: “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Pengim i mjeteve të transportit”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Goditje për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim”, të parashikuara nga nenet 262, 293, 274, 237, 236/2 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Ditën e hënë pritet të bëhet vlerësimi i masës së arrestit dhe për dy të arrestuarit e tjerë të policisë.

Top Channel