Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar nismat e qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit.

“Zhvillimet e djeshme në veri të Mitrovicës janë pasojë e dëshirës së qeverisë Thaci për të arritur suksese të shpejta në këtë zonë”, ka deklaruar Haradinaj.

Deklaratën e tij kreu i AAK-së e bëri në një konferencë për shtyp, ku prezantoi 12 anëtarët e rinj të partisë së tij, të cilët kanë aderuar nga dega e LDD-së në Suharekë.

Më tej Haradinaj ka shprehur keqardhjen e tij për vdekjen e një qytetari nga shpërthimi i granatës në veri të Mitrovicës.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, e cila ka deklaruar se ajo tregon faktin se qeveria nuk po shtrin dot autoritetin e saj.

Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i LDD Naser Rugova tha se 30% e territorit janë jashtë kontrollit të qeverisë.

“Humbja e jetës së një qytetari dhe plagosja e 11 të tjerëve tregon se kjo qeveri ka humbur rrugën dhe nuk kontrollon 30% të territorit të vetë”, ka pohuar Rugova.

Top Channel