Drejtori i Institutit amerikan për Paqe, Daniel Server, thotë se Beogradi dëshiron që pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të hapë çështjen e ndarjes së Kosovës dhe korrigjimin e kufijve.
Por, sipas tij, zyrtarët në Beograd më shumë se shkëmbim të territoreve, do të donin që të korrigjonin kufirin në veri të Kosovës, duke marrë tri komunat me shumicë serbe në këtë pjesë të vendit.
“Serbia e sheh pavarësimin e Kosovës si një lloj ndarjeje të Serbisë. Prandaj ata nuk e shohin si një problem ndarjen e Kosovës, meqë sipas tyre kur është ndarë Serbia, pse të mos ndahet edhe Kosova”, tha Server në një intervistë për BBC-në. Sipas tij, edhe në rast të hapjes së diskutimeve për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë, nuk mund të pritet një pajtueshmëri mes palëve, të cilat në një rast të kundërt do të duhej të jepnin garanci të plota se zgjidhja nuk do të ketë ndikime në Maqedoni dhe Bosnjë.
Ai u bëri thirrje qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë në prag të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të mos bëjnë presion mbi popullatën serbe në pjesën jugore e qendrore të Kosovës, që mund të ndikojë në njohjet e reja ndërkombëtare për vendin. Server pret që pas vendimit të GJND-së të rritet numri i njohjeve për Kosovën.
Por ai nuk pret më shumë njohje brenda BE-së. Sipas mendimit të Serverit, pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk është i sigurt se do ta bëjnë këtë. Por ai thotë se është me rëndësi që Kosova të arrijë një numër prej 100 njohjeve dhe kjo do të paraqiste, për shumicën e vendeve të botës, një masë kritike që do të përbënte ndryshim.
Top Channel