Në pushimin e kampionatit Botëror janë zhvilluar ndeshjet e raundit të parë eliminator të Kupës Europa Ligë.
Përveç futbollit, i vetmi detaj që lidh këtë ndeshje me Afrikën e Jugut është përdorimi edhe në vendin tonë i topit të shumëpërfolur “Jabulani”.
Tirana është përballur në stadiumin “Qemal Stafa” me skuadrën hungareze të Zalaegerzegut, vendi i pestë në kampionatin e tyre.
Ajo që ra në sy përpara fillimit të lojës ishte kalimi i ish-presidentit Halili nga tribuna VIP në tribunën qëndrore të tifozerisë, pasi ende kryeqytetasit nuk kanë zgjidhur çështjen e presidentit për sezonet në vazhdim.
Bardheblutë kanë luajtur më mirë se kundërshtarët në këtë debutim të sezonit të ri, ndonëse vuajnë mungesën e disa lojtarëve të larguar dhe blerjet e pakta.
Largimi i Mukës dhe Devollit, duket të ketë lënë pasoja, megjithëse blerja e re, kroati Pejiç dhe Plaku në sulm, u munduan në disa raste të ndryshonin rezultatin, por e patën të pamundur të finalizonin si duhej aksionet.
Tirana goditi traversën në fillim të pjesës së dytë me anë të Plakut, që ka humbur edhe disa raste të tjera duke e mbyllur këtë ndeshje të parë ndaj hungarezeve 0-0, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave.
Top Channel