Botërori 2010, ose kupa e amerikano-jugorëve

01/07/2010 11:50

Skuadrat amerikano-jugore po dominojnë këtë Kupë të Botës, me në krye skuadrën më të fortë në planet, Brazilin.

Teorikisht ky duhej të ishte botërori afrikan, por duket se askush nuk ua ka treguar këtë detaj përfaqësueseve latinë. Në Afrikën e Jugut u kualifikuan pesë skuadra nga Amerika Jugore dhe të gjitha arritën të kualifikoheshin në turin e dytë, duke kaluar fazën e grupeve.

Tashmë, katër prej tyre do të luajnë në çerekfinale: nga aktiviteti u largua Kili, dhe kjo vetëm sepse skuadra e drejtuar nga Bielsa u eliminua nga “seleçao” e Karlos Dungës. Tashmë ekziston një mundësi reale, që të gjitha skuadrat gjysmëfinaliste të jenë amerikano-jugore. Një rezultat që do të ishte padyshim më i miri në historinë e futbollit të kontinentit.

Argjentina, Brazili, Paraguaj dhe Uruguaj kanë evituar përballjet me njëra-tjetrën dhe derbi latin mund të shihet vetëm në ndeshjet mes katër më të mirave të botërorit. Ndeshjet nisin të premten me duelin ndërmjet Holandës dhe Brazilit, ndërsa në mbrëmje Uruguai përballet me Ganën. 24 orë më vonë do të luhet një tjetër sfidë titanësh, ku Argjentina e Diego Maradonës përplaset me Gjermaninë, ndërsa në të njëjtën ditë Paraguai do të masë forcat me Spanjën.

Një mesatare e jashtëzakonshme nëse krahasohet me Europën, e cila e nisi Kupën e Botës me 13 skuadra. Gjithsesi, vetëm gjashtë prej përfaqësueseve nga “Kontinenti i Vjetër” arritën ta kalonin fazën e grupeve, ndërsa në 1/8-at ato u përballën me njëra-tjetrën. Triumfi i amerikanojugorëve është makthi i europianëve, me disa prej “big”-ëve të këtij kontinenti që dështuan në mënyrë të turpshme. Italia dhe Franca, dy finalistet e Botërorit 2006 në Gjermani, nuk arritën ta kalonin fazën e grupeve, ndërsa Anglia u kthye në shtëpi pas disfatës 4-1 në ndeshjen me Gjermaninë. E vërteta është se futbollistët latinë janë të zotët.

Në këto vitet e fundit, përfaqësueset e Amerikës Jugore luajnë të mirorganizuara: formula e suksesit të tyre është zhdukja e yjeve të izoluar të skuadrës dhe funksionimi si një mekanizëm i vetëm. Ndërkohë, Europa është plakur. Dhe nuk është rastësi që në garë kanë mbetur vetëm talenti spanjoll, freskia dhe kualiteti holandez dhe efikasiteti i skuadrës multietnike gjermane. Me përfshirjen e talenteve mesdhetarë në kontingjent, skuadra e drejtuar nga Joakim Lëv ngjason paksa me latinet: e fortë, por ndonjëherë e marrë; e organizuar, por pasionante në lojën e saj.

Duke ndërthurur talentin e jashtëzakonshëm dhe taktikat pragmatike të lojës europiane, Amerika Jugore ka parakaluar “Kontinentin e Vjetër”. Në Botërorin 2014 ata do të kenë mundësi të fitojnë një skuadër më tepër në turneun ku Brazili do të jetë vendi organizator. Aktualisht kanë katër vende e gjysmë në Kupën e Botës: kjo përkthehet ndryshe që katër skuadra kualifikohen direkt, ndërsa përfaqësuesja që renditet e pesta në kontinent zhvillon ndeshje “play-off” me skuadrën e një konfederate tjetër. Brazilianët kualifikohen si vend organizator dhe kjo krijon mundësinë që latinët të kenë gjashtë skuadra, aq sa edhe Afrika (numri i përfaqësueseve nga “kontinenti i zi” nuk pritet të ulet, pavarësisht paraqitjes së dobët në Afrikën e Jugut).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA