Spanja shmang Brazilin, “fiton” Portugalinë

25/06/2010 22:35

U luajtën dy takimet e Grupit H, që ishin edhe takimet e fundit të fazës së parë të këtij Botërori, duke zbardhur enigmat për fazën e mëtejshme të kompeticionit futbollistik më të rëndësishëm të planetit.

Spanja mundi 2-1 Kilin me 10 lojtarë në fushë ndërsa Zvicra nuk mundi të shkojë më shumë së një barazim pa gola me Hondurasin.

Në “Nelson Mandela Bay”, spanjollët fituan më vështirësi 2-1 ndaj Kilit, që për më shumë se 55 minuta lojë luajti me një lojtar më pak për shkak të daljes me dy kartona të verdhë të Marko Estradas.

Goli i parë i erdhi në minutën e 25 të takimit, kur një largim i pasaktë i topit prej portierit Klaudio Bravo dorëzon topin tek sulmuesi spanjoll David Vija, i cili godet menjëherë me të majtën, thuajse nga gjysmëfusha dhe dërgon topin në portën e boshatisur. Pak minuta më vonë një kombinim i bukur i skuadrës së Del Boskes pranë zonës së amerikano-latinëve, gjen Iniestën në një pozicion goditës. Mesfushori i Barcelonës nuk gabon dhe me një gjuajtje të zgjuar gjen kendin e majtë të portës kundërshtare. Pjesa e parë mbyllet 2-0 për iberikët.

Vetëm dy minuta nga nisja e pjesës së dytë, Kili shtang Kampionët e Europës teksa gjen golin e ngushtimit të rezultatit, me anë të Rodrigo Millar, gol ky që rihap takimin. Në minutat në vazhdim Spanja kontrolloi më shumë lojën ndërsa lodhja tek lojtarët kilienë, për shkak të inferioritetit numerik filloi të ndjehej më shumë. Takimi mbyllet 2-1 për spanjollët.

Në takimin tjetër të këtij grupi, Zvicra që e nisi me surprizë aventurën afrikane duke mundur 1-0 Spanjën, nuk arriti ta mbyllë në të njëjtën mënyrë. Helvetët e Hitcfeld megjithë përpjekjet e tyre nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola me Hondurasin.

Rënditja përfundimtare në Grupin H sheh Spanjën në krye me 6 pikë, po aq sa edhe Kili që vetëm për shkak të golevarazhit renditet e dyta. Vendi 3-të dhe i 4-t shkon përkatësisht për Zvicrën dhe Hondurasin, skuadra këto që i thonë lamtumirë Botërorit.

Takimet zbardhen 8 çiftet e fazës se 1/8, fazë kjo që nis ditën e shtunë me dy takimet e para, Uruguaj-Koreja e Jugut në orën 16:00 dhe SHBA-Ganë në orën 20:30, për të vazhduar më tej me Gjermani-Angli, Argjentinë-Meksikë, Holandë-Sllovaki, Brazil-Kili, Paraguaj-Japoni dhe Spanjë-Portugali.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA