
Në mesin e viteve ’90 një serial televiziv shenjoi më shumë se gjithçka tjetër botëkuptimin shqiptar rreth plazhit, “Baywatch”.
Disa djem që vetëm veshjen kanë të ngjashme me personazhet e famshëm të serialit televiziv, nuk janë aktorë dhe plazhi ku ata zhvillojnë misionin e tyre humanitar, nuk është Hawai, por ai i një bregdeti fare pranë kryeqytetit.
Djemtë shqiptarë jane ata që qëndrojnë çdo ditë mbi kokat e plazhistëve dhe që kujdesen për sigurinë e tyre në det. Sot do ndjekim pikërisht një ditë të tyre pune. Është mesditë dhe ky presupozohet të jetë piku i popullimit të detit. Temperatura shënon 30 gradë celcius dhe pjesa më e madhe e pushuesve kanë lënë çadrat, për t’u kredhur në thellësitë e detit.
Djemtë e Baywatch-it janë në gatishmëri të plotë. Është ky piku ditor, kur patrulluesit detarë duhen të jenë më të vëmendshëm se kurrë. Dhe duket se kemi një rast emergjence në det. Kulla e rojës lëshon sinjalin. Një person kërkon ndihmë në det. Grupi i terrenit nis aksionin e shpëtimit. Për fat gjithçka shkoi mirë. Djaloshi i cili për pak rrezikoi jetën këtë herë pati fat.
“Unë jam Jurgen Cyrbja. Kam katër vite që e bëj këtë punë. Jam pjesëtar i ekipit të notit Teuta. Ky është një nga rastet e shpëtimit. Më pëlqen shumë të bëj baywatch, të shpëtoj njerëzit. Në këtë kohë ka shumë probleme sidomos me pushuesit nga kosova të cilët nuk dinë edhe not”, shprehet nje prej djemve. Në sezonin e verës, sipas statistikave, në një ditë të vetme, shënohen të paktën 20 raste të humbjeve të fëmijëve dhe po kaq raste shpëtimi në det.
Baywatch-at shqiptarë, edhe pse në mungesë të ndonjë Pamela Andersoni frymëzuse, janë të kënaqur me punën që bëjnë. Sidoqoftë, ao nuk mungon në listën e dëshirave të tyre, madje kanë hartuar edhe një kërkesë me shkrim. “I kemi kërkuar pronarit që të kemi goca midis nesh se kështu nuk shtyhet. Nuk rrihet 8 orë në diell”, shprehet nje prej tyre.
Top Channel