Obama shkarkon gjeneralin McChrystal

23/06/2010 20:10

Presidenti Obama vendosi shkarkimin e gjeneralit Stanley McChrystal nga posti i kreut të komandës amerikane në Afganistan, duke e zëvendësuar atë me liderin aktual të komandës qëndrore të Shteteve të Bashkuara, David Petraeus.

Vetë njoftimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë nuk ka mbërritur ende, por lajmin e konfirmuan për televizionin amerikan ABC burime pranë presidentit.

McChrystal u thirr sot nga Obama pas komenteve përbuzëse që ai dhe stafi i tij bënë ndaj pjesëtarëve të administratës amerikane në artikullin e një reviste.

Presidenti e kritikoi ashpër gjeneralin për gjykim të gabuar, po megjithatë vendosi të bisedojë një herë ballë për ballë me të përpara se të vendoste shkarkimin ose jo nga detyra.

Mediat vendase njoftuan më herët se McChrystal ishte përgatitur të ofronte dorëheqjen. Para se të largohej për të ardhur në Uashington, gjenerali tha se profili i botuar në revistën “Rolling Stones” ishte një gabim që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë.

Në artikullin e titulluar “Gjenerali në Arrati”, ndihmësit e McChrystal e quajnë “klloun” një zyrtar të lartë të administratës Obama dhe një tjetër e përshkruajnë si “kafshë të plagosur”. Artikulli thoshte gjithashtu se gjenerali ishte i zhgënjyer nga takimi i parë me presidentin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA