Minatorët, shumica me sëmundje profesionale

23/06/2010 08:00

Prej ditësh kanë nisur vizitat mjekësore për rreth 1000 minatorë të minierës së Bulqizës.

Këtë e bëri të ditur kryetari i sindikatës së minatorëve, Dilaver Përkoxha. Sipas tij, një gjë e tillë është realizuar në bazë të kontratës së nënshkruar mes firmës koncesionare austriake ACR, që aktualisht menaxhon këtë minierë dhe qeverisë shqiptare.

Çdo të premte nisen drejt Tiranës për kontroll të përgjithshëm mjekësor 30 deri në 40 minatorë. Vizitat që përfshijnë një kontroll të përgjithshëm fizik të trupit dhe analiza mjekësore, realizohen në një klinikë private në Tiranë.

Deri më tani, nga rezultatet e këtyre vizitave janë konfirmuar se një pjesë e mirë e minatorëve, kanë rezultuar me sëmundje profesionale të nëntokës, kryesisht të prekur nga silikoza. “Sëmundja ka përparuar edhe për shkak se një pjesë e mirë e këtyre minatorëve, kanë një kohëzgjatje vitesh pune prej mbi 25-30 vjet”, tha kryesindikalisti.  

Top Channel