Gjoba, SEEMO: Jemi të alarmuar

23/06/2010 20:30

Organizata e Medias për Europën Juglindore dhe Instituti Ndërkombëtar për Shtypin apelojnë përmes një deklarate të përbashkët që të anulohet vendimi i gjykatës së rrethit Tiranë mbi cështjen Pango.

Në komunikatë thuhet se këto dy organizata janë të alarmuara për vendimin që u prononcua në favor të ish-ministrit të Kulturës dhe dënojnë me forcë gjykimin e bërë.

“Gjoba ndaj televizionit Top Channel është e tepruar dhe jashtë cdo logjike”, shprehet përmes kësaj komunikate sekretari i përgjithshëm Oliver Vujovic.

Sipas tij, cështja e filmimit të ish-ministrit është me interes publik, ndaj televizioni nuk duhet të ishte gjobitur fare, pasi media funksionon si një shtyllë e rëndësishme e shoqërisë demokratike.

Vujovic shton në këtë kuadër, se gazetaria investigative i jep audiencës akses në një gamë shumë të gjerë informacioni, duke marrë parasysh në këmbim edhe debatin e nevojshëm publik për cështje që i prekin drejtpërdrejtë.

Përmes deklaratës publike, Organizata e Medias për Europën juglindore, me qendër në Vjenë dhe Instituti Ndërkombëtar për Shtypin mbështesin plotësisht vendimin e televizionit për të apeluar vendimin e gjykatës.

Në fund të komunikatës thuhet se, “kur gazetarëve u kufizohet publikimi i artikujve vetëm tek ata që e kanë marrë më parë pëlqimin e qeverisë apo institucioneve ndërkombëtare, atëherë kjo në thelb do të thotë se ata funksionojnë si zëdhënës të entiteteve në fjalë, një rol që bie ndesh me qëllimin e tyre parësor, sigurimin e informacionit në interes të publikut”.

Po kështu, gjatë pasdites reagoi dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve me qendër në Bruksel për cështjen e ish-ministrit shqiptar, i cili u filmua ndërsa ofronte punë në këmbim të favoreve seksuale.

Sekretari i përgjithshëm Aidan White, duke vlerësuar si të padrejtë qëndrimin e gjykatës së Tiranës, shprehet se, “vendimi mund të pengojë gazetarinë investigative, që mbikëqyr shërbimin civil dhe bën të mundur që pushtetarët të mos luajnë nga vota dhe përgjegjësia e tyre para publikut”.

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve është organizata me e vjetër, themeluar në 1926 dhe numëron sot mbi 600 mijë gazetarë nga 123 shtete të botës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA