Diskriminimi seksual, Klinton i referohet Klodit

23/06/2010 23:30

Presidenti amerikan, Barak Obama dhe Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton kanë shprehur angazhimin për t’i dhënë fund dhunës dhe diskriminimit ndaj homoseksualëve.

Në fjalën e saj zonja Klinton iu referua rastit të Klodit në Big Brother, i cili sipas saj luftoi për të drejat e tij dhe për këtë është mbështetur nga ambasada amerikane duke e parë si shembull të punës së mirë.

“Nuk na përfaqëson, nuk është e drejtë dhe ne do t’i japim fund”, tha Obama gjatë një pritjeje në Shtëpinë e Bardhë me rastin e muajit kushtuar homoseksualëve.

Shefja e diplomacisë amerikane, Klinton u përshëndet me ovacione në sallë kur gjatë një fjalimi kushtuar këtij eventi, rikonfirmoi angazhimin e Uashingtonit për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë njerëzve. Kryediplomatja amerikane solli dy shembuj para të pranishmëve për të ilustruar fjalët e saj, dy njerëz që sipas saj ia vlen të përmenden sepse luftuan për të drejtat e tyre dhe demonstroi njëkohësisht punën e ambasadave amerikane në këtë drejtim, njëri është një i ri nga Sllovakia dhe tjetri është Klodian Çela.

“Në Shqipëri një i ri i quajtur Klodian Çela u deklaroi publikisht në një program televiziv popullor të quajtur Big Brother. Shumë shpejt pas kësaj ambasadori ynë, Xhon Uidhers doli në televizion dhe shprehu haptazi mbështetjen për këtë njeri. Ai vizitoi qytetin e tij të lindjes dhe e ftoi në një event në ambasadën tonë duke i treguar të gjithë shqiptarëve se SHBA mbështet të drejtat e tij dhe respekton kurajon që tregoi”, tha ndër të tjera Klinton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA