
Trajneri i Zelandës së Re, Ricki Herbert shpreson t’i shkëpusë një barazim Italisë që do të ishte një rezultat historik për skuadrën modeste nga Oqeania.
Sot në orën 16:00 në Nelspruit, kampionët e botës do tentojnë fitoren e parë në botëror, por rezultati i ndeshjes së parë të Zelandës së Re, e cila barazoi 1-1, nuk mund t’i qetësojë italianët.
“Një barazim do zhyste në panik gjithë Italinë sepse ata e kujtojnë mirë Korenë e Veriut”, deklaroi Herbert që konfirmoi në formacionin titullar të gjithë lojtarët e ndeshjes së parë.
“Nga ana teknike Italia është më e fortë se ne por kemi mundësi të mira për t’iu kundërvënë”, shtoi tekniku Herbert. Optimist është edhe kapiteni Ryan Nelsen. “E njoha Italinë vitin e shkuar kur e vendosëm në vështirësi. Këtë gjë mund ta bëjmë sërish”, pohon ai.
Top Channel