Njësia “Task Force” e Korçës dhe departamenti i Hetimit të Krimit në Policinë e Shtetit ka arrestuar mbrëmjen e së shtunës kancelarin e Gjykatës së Korçës, Shkëlqim Kajmakun si edhe shefin e personelit të institucionit të ekzekutimit të veprës penale, Arben Hoxhën. (UPDATE)
Dy personat kërkonin para për t’i shpejtuar ekzekutimin e një vendimi për kthim borxhi. Shefi i personelit të burgut të Korçës është kapur në flagrancë nga policia, duke i marrë shumë prej pesë milionë lekësh një qytetari, në këmbim të nxjerrjes me shpejt të një vendimi ekzekutimi nga ana e kancelarit të gjykatës duke shërbyer në rastin konkret si sekser.
Personi që do t’i jepte paratë është një ish i burgosur i cili e kishte njohur zyrtarin gjatë kohës që ishte në burg.
Vendimi ishte nxjerrë nga kancelari në kundërhtim të hapur me ligjin. Policia ka bllokuar si provë materiale shumën e konsiderueshme, si edhe përgjimin, ku qytetari do ta paguante këtë shifër.
“Shtetasi Arben Hoxha është kapur në flagrancë nga strukturat e policisë pasi kishte marrë shumën prej 500 mijë lekësh të reja një qytetari në këmbim të nxjerrjes së një vendimi ekzekutimi të një çështje civile, vendim të cilin e kishte nxjerrë kancelari i gjykatës Shkëlqim Kajmaku. Në momentin e ndalimit të këtyre personave u sekuestruan si prova materiale shuma prej 500 mije lekësh, vendimi i gjykatës dhe dokumente që vërtetonin shkelje ligjore të kancelarit të gjykatës”, deklaroi Laura Tutraku, specialiste në zyrën e shtypit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Policia dyshon se dy të arrestuarit e kanë patur si praktikë nxjerrjen e personave nga burgu në këmbim të të hollave. Personat mendohet se kanë kërkuar para në këmbim të dhënies të vendimeve të padrejta. Sipas burimeve zyrtare kancelari dhe bashkëpunëtori i tij do të hetohen edhe për raste të tjera të ngjashme.
Top Channel