
Ndryshimi i kushteve atmosferike lë pa ujë Durrësin dhe të gjithë zonën bregdetare.
Rrufeja godet dhe një rreth i tërë ndien etjen në një mot të nxehtë, ndonëse me reshje. Situata është vlerësuar si emergjente dhe katër grupe pune të ujësjellësit, grupe të OSSH-së dhe një grup specialistësh nga Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve kanë shkuar në Fushë-Kuqe, atje ku rrufetë e rëna gjatë natës kanë dëmtuar rrjetin elektrik duke nxjerrë jashtë funksionimit stacionin e pompimit nga i cili merr ujë i gjithë rrethi bregdetar i Durrësit.
Rrufetë e rëna gjatë orëve të para të ditës së diel kanë shkarkuar mbi rrjetin kryesor 110 kilovolt duke shkaktuar një defekt të rëndë. Drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve sh.a., Doklead Ademi, tha për gazetën “Shqip” se puna intensive në rrjet çoi në riparimin e defektit në rrjetin kryesor elektrik, por energjia elektrike nuk mbërrin në transformatorin e tensionit të ulët dhe është punuar për sigurimin e linjës së tensionit të ulët.
Ndërkohë, në orët e pasdites, rreth orës 19:00, është bërë i mundur riparimi i defektit dhe furnizimi me ujë të pijshëm i qytetit bregdetar. Gjatë orëve të para të së dielës i gjithë Qarku i Durrësit është përfshirë nga një mot i keq, me shi të rrëmbyer dhe rrufe e bubullima. Edhe pa këto defekte në rrjetin elektrik Durrësi është një nga rrethet më problematike për sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm.
Ndër dekada Durrësi ka trashëguar një ujësjellës me probleme, burim të largët dhe të kushtueshëm, si dhe një rrjet shpërndarës të amortizuar që jo rrallëherë dëmtohet nga mungesa e rrjedhjes së vazhdueshme të ujit në të duke shkaktuar ndotjen e ujit.
Qytetarët durrsakë furnizohen një herë në ditë me afro 2-4 orë ujë, ndërsa gjatë stinës së nxehtë të verës furnizimi reduktohet dhe më shumë për shkak të nevojave të plazhit që duke dy-trefishuar numrin e banorëve të përkohshëm, pushuesve rrit dhe nevojat për konsum të ujit.
Përveç problemeve në furnizimin me ujë të pijshëm, reshjet e shumta kanë zbarkuar llumra dhe baltë në një pjesë të rrugëve të Durrësit, si dhe kanë dëmtuar drithërat e pakorrura në një pjesë të zonave rurale.
Top Channel