
Një insekt i panjohur më parë nga ana e fermerëve po shkatërron të mbjellat e stinës në disa fshatra prej ditësh në rrethin e Beratit.
Fermerët e fshatrave Drenovic, Samatic e Goriçan të Komunës Kutalli ankohen se prej disa ditësh një insekt i veçantë është shfaqur në serat e tyre duke dëmtuar perimet e stinës. Sipas fermerëve, insekti dëmtues i ngjashëm me krimbin e mëndafshit ka mësymë të mbjellat e tyre, kryesisht domatet dhe specat.
Krimbi i pakonstatuar më parë prej tyre mësohet se është bërë shqetësim i ditës, pasi ai prek lulet e perimeve duke i dëmtuar ato dhe ulur rendimentin e prodhimit. Banorët e zonave të prekura ngrenë zërin duke kërkuar inspektimin nga ana e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, pasi nuk e njohin krimbin dëmtues dhe nuk dinë se si ta luftojnë atë.
Fermerët ankohen se prodhimet e tyre janë duke u dëmtuar nga ky lloj insekti dhe nëse nuk merren masa në kohë, dëmi që mund t’u shkaktohet do të jetë i madh. Fshatrat e Komunës Kutalli në rrethin e Beratit janë të njohura për sasinë e prodhimeve të tyre bujqësore dhe cilësinë e tyre.
Top Channel