
Dy raste të pickimit të gjarprit janë regjistruar brenda një dite në një fshat të rrethit të Beratit. “Shënjestra” kanë qenë dy fëmijë, të cilët janë duke marrë ndihmën shëndetësore në spitalin rajonal të Beratit.
Burime pranë bluzave të bardha bëjnë me dije se gjatë fundjavës janë regjistruar dy raste nga pickimi i gjarpërinjve në fshatin Donofros të Komunës Kutalli. Të njëjtat burime saktësojnë se E. Hoxha, 14 vjeç, ka mbërritur pranë repartit të urgjencës gjatë mesditës së djeshme në gjendje jo të mirë shëndetësore pas pickimit nga gjarpri.
Familjarët e fëmijës deklaruan se djali ishte duke mbledhur jonxhë, në kohën kur është pickuar nga zvarraniku i rrezikshëm. Pasi mbërriti me urgjencë në spitalin e qytetit, fëmija ka marrë ndihmën e parë shëndetësore dhe ende ndodhet nën terapi intensive, por sipas mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Dy orë më pas, nga i njëjti fshat mësohet se është paraqitur një tjetër fëmijë, edhe ky nga pickimi i gjarprit. Evis Sh., nëntë vjeç, mësohet se ndodhej duke luajtur me shokët e tij në kohën që është pickuar nga një gjarpër.
Fëmija është dërguar nga familjarët në spital, ku ende ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Të dy fëmijët janë shfaqur me shenjat e mpirjes së vendit të pickimit, irritim të lëkurës, si pasojë e pickimit dhe temperaturë e lartë. Ata mësohet se kanë marrë ndihmën e nevojshme shëndetësore me medikamente e serume dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Bluzat e bardha deklaruan se si pasojë e rritjes së menjëhershme të temperaturave është shtuar rreziku i shfaqjes së insekteve të rrezikshme dhe gjarpërinjve në zonat rurale. Ata rekomandojnë banorët e këtyre zonave të tregojnë kujdes për trajtimin në kohë të këtyre rasteve.
Top Channel