Policia e Kosovës arrestoi një të dyshuar për terrorizëm në Mitrovicë. Zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodez e bëri të ditur këtë informacion dhe sqaroi se i arrestuari ishte kapur me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët kërkojnë ekstradimin e tij.

Ndërkohë janë mediat amerikane ato që zbardhin të plotë identitetin  e të arrestuarit. Sipas “Associated Press”, i arrestuari quhet Bajram Asllani, i moshës 29 vjeç.

Prokurori publik i Shteteve të Bashkuara për Qarkun Lindor të Karolinës së Veriut e ka akuzuar të pandehurin për dy vepra penale: sigurimi i përkrahjes ose burimeve materiale për terroristë, përkrahje për terrorizëm dhe planifikim të vrasjes.

Sipas AP, Asllani dyshohet se ishte pjesë e një grupi në Karolinën e Veriut, i cili planifikonte sulme kundër objektivave ushtarake amerikane brenda dhe jashtë SHBA-së.  Dhe sipas prokuroit amerikan dyshohet se roli i Asllanit ishte pikërisht të angazhohej në veprime terroriste në Kosovë.

Asllani duket se u ka kërkuar para bashkëpuntorëve amerikanë, në mënyrë që të blinte toka në Kosovë, të ndërtonte aty një depo për armatimet e tij. Ai madje akuzohet se ka dërguar video propagandistike  që t’i përdorte më pas për të rekrutuar persona të tjerë.

Përveç këtyre të dhënave, as autoritetet federale, bën të ditur “AP”, nuk japin më shumë detaje për arrestimin.

Autoritetet amerikane vunë në dukje, se Asllani ishte arrestuar më parë, në 2007-ën nga policia kosovare dhe ishte vënë në arrest shtëpie në lidhje me aktivitetin terrorist, e po ashtu është dënuar në mungesë në lidhje me këtë veprimtari nga një gjykatë serbe më 2009-ën.

Me të njëjtat akuza si Asllani më 2009-ën u dënuan edhe disa persona të tjerë në SHBA, mes të cilëve shqiptari i Kosovës, Hysen Sherifi.

Hetimet zbuluan se të dy ata ishin takuar në verën e vitit 2008, kur Asllani i kishte dhënë Sherifit video propagande që t’i dërgonte në Kosovë. Nëse gjendet fajtor, Asllani rrezikon 40 vjet burg në SHBA.
 

Top Channel